E Diel, 1 Nëntor 2026

MASH, gati penalizimet për maturantët kopjace dhe mësuesit që shkelën rregullat

Të gjithë maturantët që kopjuan në maturën shtetërore do të penalizohet nga MASH. Por në listën e zezë do të futen edhe mësuesit të cilët kanë qenë vëzhgues në provime e kanë lejuar nxënësit që të komunikonin me njëri tjetrin e të shkëmbenin informacione.

Sipas specialistëve të APRIAL Institucion për kontrollin e rezultateve të nxënësve për mësuesit që kanë shkelur rregulloren do të merren masa administrative të forta, ndërsa për maturantët mund të merren masa që kanë të bëjnë me përjashtimin e tyre nga futja në universitete për këtë vit. Përgjigjet e provimeve të maturës shtetërore janë vonuar për më shumë se dy javë në shumë shkolla të vendit, duke krijuar një situatë tensioni mes të rinjve që presin të mësojnë rezultatet dhe fatin e tyre në garën për në universitete. Zyrtarë të Ministrisë së Arsimit thonë se shkak i vonesës ka qenë fakti se në shumë raste ata kanë siguruar prova për kopjimin masiv të nxënësve. Provimet e maturës shtetërore nuk janë administruar mirë nga mësuesit në të paktën 20 shkolla, ku është konstatuar se një pjesë e madhe e maturantëve kanë kopjuar. Në provime dyshohet për kopje dhe gjatë kontrollit janë verifikuar kopje. Pavarësisht se këto shkolla kanë mijëra nxënës, jo të gjithë dyshohen për kopje, ka deklaruar Arben Fagu. Mësohet se nuk flitet për përpjekje individuale të nxënësve për të kopjuar, por për shpërndarjen e tezës në mënyrë të organizuar nga mësuesit që duhej të mbikëqyrnin provimin. Ekspertët kanë zbuluar se dhjetëra nxënës kanë dhënë në mënyrë rigoroze të njëjtën përgjigje. Për këtë arsye maturantët të cilët kanë kopjuar janë penalizuar, duke ia ulur pikët për pyetjen që kanë kopjuar, ndërsa për mësuesit do të ketë penalizime më të rënda. Janë raste si Fieri, Elbasani e Pogradeci, ku më shumë përgjegjësi kanë mësuesit. Natyrisht në këto shkolla do të merren masa, ka shtuar Fagu. Drejtori sqaron se ka ende disa dhjetëra maturantë për të cilët nuk është dhënë rezultati, pasi janë konstatuar probleme në sekretimin e testit dhe probleme të tjera teknike. Maturantët duhet të dorëzojnë ditën e hënë formularin A2, ku saktësojnë degën që ata kanë prioritet, ndaj pjesa më e madhe e të rinjve e kanë përjetuar me ankth nxjerrjen e rezultateve.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›