E Diel, 1 Nëntor 2026

MASH, maturantëve: Dorëzoni formuarin A1

Pas shqetësimit që ngritën maturantët në gazetën "Shqip" për mosdorëzimin e formularit A1, ka reaguar Ministria e Arsimit. Zyra e shtypit bëri të ditur dje se "të gjithë maturantët duhet të nisin të dorëzojnë në shkolla formularin A1 të lëndëve me zgjedhje, pasi të dhënat hidhen në kompjuter, ndaj s‘ka kohë për të humbur". Sipas këtij dikasteri, mosmiratimi i koeficienteve të shkollave për UT-në nuk është domosdoshmëri në këtë moment. Ndërsa sqaron se ato dalin së shpejti dhe do t‘u shërbejnë të rinjve kur të plotësojnë formularin A2.

Vetëm një ditë më parë në gazetën "Shqip" u ngrit shqetësimi i të rinjve kryeqytetas për shtyrjen e afatit të dorëzimit të A1. Arsyeja e parë është njohja me vonesë me koeficientet e lëndëve me zgjedhje, të cilët kanë mbërritur ditën e mërkurë në shkollat e mesme, ndërsa e premtja ishte pushim, për 7 mars. Po kështu, si zakonisht, edhe e shtuna dhe e diela janë pushim. Pra, të hënën (dje) ata nuk kanë dorëzuar formularët pranë shkollave, pasi ende nuk kanë vendosur se cilat lëndë do të japin si provim me zgjedhje. Një arsye tjetër sipas maturantëve, por që konfirmohet nga Drejtoria Arsimore e Tiranës, është se "për Universitetin e Tiranës nuk kanë mbërritur koeficientet për llojin e shkollës". Pra çfarë vlerësimi ka dhënë ky universitet për shkollat e mesme profesionale dhe për shkollat e mesme të përgjithshme? Vlerësim ky që shprehet me koeficientet nga 1.0 deri në 1.4. Për sa i përket shqetësimit të parë, vonesës së koeficienteve të lëndëve me zgjedhje, MASH sqaron se "ato janë botuar në shtypin e përditshëm dhe maturantët mund t‘u ishin referuar gazetave për këtë informacion". Ndërsa për shqetësimin e dytë, mosmiratimin e koeficienteve të llojit të shkollave, sqaron se "ato do të mbërrijnë së shpejti. Por iu kërkon maturantëve mirëkuptim në këtë pikë". Zyra e shtypit deklaroi për "Shqip" se Universiteti i Tiranës ndryshe nga gjithë të tjerët në vend ka kërkuar që të mos ketë fare koeficient për llojin e shkollës, pra të jetë zero. MASH është duke u konsultuar me këtë universitet dhe do të dalë me një vendim, nëse do t‘i lejohet UT-së të mbajë koeficiente zero për llojin e shkollës ajo jo".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›