Universitetet, me fonde të bllokuara
Universitet publike nuk mund të lëvrojnë fondet e këtij viti. Shkak është bërë moskonstituimi i Këshillit të Administrimit. Kjo strukturë krijohet për herë të parë me ligjin e ri të arsimit të lartë. Ai përbëhet nga anëtarë të fakulteteve të çdo universiteti dhe anëtarë të emëruar nga Ministria e Arsimit. Rektori i universitetit më të madh në vend, atij të Tiranës, ka deklaruar dje për "Shqip" se shkollat e larta gjenden në situatë mjaft të vështirë, sepse nuk mund të ndajnë buxhetin e 2008-ës. Sipas tij, ende nuk ka një këshill administrimi, që në bazë të ligjit të vendosë për fondet. Ai ka akuzuar Ministrinë e Arsimit dhe ka shkelur ligjin duke mos emëruar anëtarët e saj në këshill. Ministria e Arsimit u shpreh dje se "disa fakultete, si ai i Drejtësisë në UT, nuk arritën t‘i zgjedhin përfaqësuesit e tyre në datë 10 janar, kur u mbajtën votimet". Në vijim, MASH i ka udhëzuar këto fakultete përmes një shkrese që të emërojnë përfaqësuesin në këshillin e fakultetit për një periudhë njëvjeçare. Për sa i përket akuzës direkte të Kules se vetë MASH nuk ka caktuar anëtarët e saj, zyra e shtypit shprehet se "MASH do të emërojë anëtarët e jashtëm, në mënyrë që këshilli të konstituohet me përbërje të plotë". Mungesa e këtij këshilli, që pritej të përmirësonte ecurinë e universiteteve, ka shkaktuar një kaos të vërtetë. Për këtë vit, universitetet publike nuk mund të bëjnë asnjë investim apo të realizojnë projekte me fondet e shtetit, pasi duhet të miratohen në këshill. Rektori Kule shprehet se "është problemi më i madh me të cilin është ndeshur, që nga zgjedhja në postin drejtues të UT-së". Ai ka kërkuar bashkëpunim institucional nga ministri i Arsimit, Genc Pollo. Në nenin 16 të ligjit të arsimit të lartë thuhet se "në institucionet e arsimit të lartë ngrihen dhe funksionojnë këshillat e administrimit, organe kolegjiale vendimmarrëse. Këshilli mbikëqyr e kontrollon veprimtaritë e institucionit të arsimit të lartë, që lidhen me menaxhimin administrativ, financiar, ekonomik dhe të pronave të tij. Në pikën e dytë të ligjit shkruhet se funksionet e këshillit janë: miraton kriteret për ndarjen e burimeve financiare; miraton, me kërkesën e senatit akademik, projektbuxhetin e institucionit me dy të tretat e votave; vlerëson efikasitetin e përdorimit të fondeve nga buxheti i shtetit ose burime të tjera të ligjshme dhe publikon rezultatet e vlerësimit; miraton raportin vjetor financiar të paraqitur nga rektorati. Një pikë tjetër e rëndësishme e ligjit është ajo që sanksionon se kush janë anëtarët e këtij këshilli. Sipas ligjit, "këshilli i administrimit përbëhet nga anëtarë të fakulteteve, të zgjedhur drejtpërdrejt nga personeli akademik, anëtarë të caktuar nga ministri i Arsimit dhe përfaqësues nga fushat e shkencës, ekonomisë, kulturës, autoritete të pushtetit qendror dhe vendor si dhe një anëtar, përfaqësues i zgjedhur nga këshilli i studentëve të institucionit".