E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Rama e ka për turp të jetë i majtë

Lëvizja Socialiste për Integrim ka vijuar që të rendisë shkaqe të reja që çuan në divorcin e saj me Partinë Socialiste. Gjatë mbledhjes së djeshme të Komitetit Drejtues Kombëtar, e cila miratoi në mënyrë unanime vendimet e fundit të Kryesisë së LSI, Ilir Meta deklaroi se që para 2 vitesh kur nënshkroi marrëveshjen e bashkëpunimit kishte dyshime të forta në seriozitetin e lidershipit të PS-së për t'u angazhuar në një reformë zgjedhore të ndershme dhe anti-Dushk. “Ne shprehim keqardhjen sot që dyshimet tona e dy viteve më parë u provuan. Ne shprehim keqardhjen sot që lidershipi i PS-së nuk ka mësuar asnjë gjë nga dështimet e lidershipit të mëparshëm të PS-së. Na vjen keq që koalicioni i vjetër opozitar nuk e kreu misionin e tij dhe as objektivat politike që ai caktoi. Ai pushoi së ekzistuari realisht pas zgjedhjeve vendore të vitit 2007. Në këndvështrimin e lidershipit të PS-së, qëllimi i tij ishte afatshkurtër, fitorja jo e zgjedhjeve nga e majta, por fitorja e bashkisë së Tiranës”- tha Meta. Sipas tij pas zgjedhjeve vendore pushteti i fituar pjesërisht nga e majta, nuk u administrua sipas kontributeve që u dhanë për fitoren e të majtës, kjo si “pasojë e mungesës së këtij bashkëpunimi dhe sindromës së vjetër të arrogancës që karakterizon lidershipin e PS-së, ku u humb drejtimi i pjesës dërrmuese të këshillave, komunave, të bashkive dhe të 11 qarqeve që u zotëruan nga PD-ja”. Duke iu referuar akuzave se LSI ka prishur koalicionin vetëm për shkak të interesave të ngushta partiake, Meta tha se po të ishte kështu bashkëpunimi me selinë rozë do të kishte marrë fund që në 19 shkurt, kur si Bashkinë e Tiranës ashtu edhe disa bashki të tjera të mëdha u mohua premtimi që LSI të kishte një nga nënkryetarët e bashkisë. Meta ka bërë fajtor Ramën edhe për dështimin e bujshyëm një zgjedhjet e vjetshme presidenciale. “Lidershipi i PS-së shfaqi një pavendosmëri dhe mungesë qartësie duke paraqitur një listë të pafund kandidatësh. Por në mënyrë të veçantë koalicioni dështoi në realizimin e një qëndrimi të përbashkët për çështjen themelore të Reformës zgjedhore. Lidershipi i PS-së, jo vetëm që nuk i është përgjigjur shqetësimit të vazhdueshëm të LSI për realizimin e kësaj reforme, që menjëherë pas zgjedhjeve të vitit 2005 unë i kërkova takim Kryetarit të PS-së për këtë qëllim, gjë që u refuzua prej tij” - vijoi më tej ai. Koalicioni i ri do të ketë si objektiv imediat realizimin e Reformës zgjedhore në përputhje me frymën kushtetuese, që përfaqësimi politik në Kuvend të jetë sa më pranë votës proporcionale kombëtare të partive. Ky koalicion do të sjellë konsolidimin e identitetit të së majtës progresiste në Shqipëri, të vlerave atdhetare që ajo duhet të mbartë, dhe jemi të bindur që në këtë drejtim LSI-ja ofron të gjitha siguritë e domosdoshme. Ky koalicion do të vazhdojë të sjelle një frymë të re në politikë dhe transparente për shqiptarët, dhe jo për politikën e mbyllur që mbijeton mbi monopolet e reja politike, ekonomike e mediatike.
PAD nga lëvizja e Metës:Koalicioni i ri, thjesht fantazmë/Partia Aleanca Demokratike ka deklaruar dje se nuk do të pranojë në asnjë mënyrë që të jetë pjesë e koalicionit të Ilir Metës, pasi ai koalicion i regjistruar tashmë është thjesht fantazmë. “Partia Aleanca Demokratike nuk do t'i bashkohet nismës “E majta për integrim”, të iniciuar nga kryetari i LSI-së, Ilir Meta”, deklaroi, sekretari për marrëdhëniet me publikun i PAD-së, Pirro Lutaj. Në një prononcim për mediat, sekretari Lutaj sqaroi se “PAD është pjesë e tryezës së partive të vogla, por ajo do të luftojë deri në fund për reformën zgjedhore dhe nuk do t’i bashkohet asnjë aventure brenda kampit opozitar me regjistrime fantazmë”. “Po ashtu, PAD nuk do t’i bashkohet asnjë iniciative për hir të karriges kryeministrore, që me sa po shohim po hedh në erë elektoratin e opozitës dhe me sa duket ka rrezik të na lërë edhe pesë vjet të tjera pa ujë e pa drita”, shprehu ai. Në këtë situatë, shtoi Lutaj, PS ka një përgjegjësi shumë më të madhe për aleatët dhe me çdo kusht duhet të respektojë ata në këtë periudhë historike që po bashkëjeton me ta. Debatet brenda së majtës vijnë pas qëndrimit të shpallur nga kreu i LSI-së, Meta, i cili pak kohë më parë deklaroi daljen e forcës politike që drejton nga koalicioni i majtë opozitar, pasi akuzoi “PS-në për pazare të fshehta me PD-në për reformën zgjedhore”. Pas këtij vendimi, i cili krijoi pështjellim dhe amulli në radhët e partive të majta aleate, para dy ditësh regjistroi në ligjërisht në gjykatën e Tiranës subjektin politik “Koalicioni e Majta për Integrim”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›