E Shtunë, 31 Tetor 2026

MASH nxjerr udhëzimin për hapjen e procedurave për fondin e ekselencës



Anilejda Shëmbitraku

Ministri i Arsimit dhe Shkencës ka lëshuar Udhëzimin Nr. 24, datë 30.07.2010, “Për përcaktimin e kritereve, masës dhe procedurave për përfituesit nga fondi i ekselencës për studentët e shkencëtarët e rinj, të shkëlqyer”, në bazë të Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr. 554, datë 07.07.2010 "Për fondin e ekselencës, për mbështetje financiare të studentëve e shkencëtarëve të rinj, të shkëlqyer”, studentët dhe shkencëtarët e rinj, të shkëlqyer mund të përfitojnë nga Fondi i Ekselencës të akorduar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

Përfitimet
Mundësitë që ofron Ministria e Arsimit dhe Shkencës për studentët janë: bursa të posaçme për studentë që bëjnë studimet e doktoratës jashtë shtetit; bursa të posaçme për studentë që ndjekin studime “Bachelor” ose “Master” në njërin prej 15 universiteteve më të mira të botës, si dhe ata që janë pranuar e kanë përfituar bursë të pjesshme në shkencat inxhinierike, Teknologji Informacioni, Matematikë, Fizikë dhe Bioteknologji në
universitetet e njohura perëndimore; bursa të posaçme për shkencëtarë të rinj që bëjnë studimet e postdoktoratës jashtë shtetit; çmime/shpërblime për studentë fitues në konkurse dhe olimpiada ndërkombëtare; çmime/shpërblime dhe mbështetje financiare për botime shkencore, me nivel të lartë shkencor, të vlerësuara edhe jashtë vendit.

Detyrimet
Qeveria shqiptare po kontribuon me një fond të posaçëm për studime të plota doktorate apo postdoktorate të dhjetëra shkencëtarëve të rinj në universitete perëndimore prestigjioze. Këta studiues që do të formohen me dijet e kohës dhe detyrimisht do të japin kontributin e tyre për 3 vjet në Shqipëri, do të jenë një mbështetje e rëndësishme e arsimit tonë të lartë dhe kërkimit shkencor. Ata do të ndihmojnë jo vetëm në rritjen cilësore të formimit dhe kërkimit në universitetet tona, por edhe në rritjen e nivelit të bashkëpunimit me universitetet perëndimore ku këta studiues do të kryejnë kualifikimin e tyre. Aplikimet do të jenë individuale dhe klasifikimi i kandidatëve do të jetë transparent dhe publik. Ministria e Arsimit dhe Shkencës shpall hapjen e procedurave të aplikimit për programin, për vitin akademik 2011 - 2012. Afati i dorëzimit të dokumenteve është deri në datën 31 mars 2011.

FAZAT
Procedura e përzgjedhjes së kandidatëve bëhet nga MASH
a- Ministria e Arsimit dhe Shkencës shpall programin sipas fushave dhe afatet e dorëzimit të dokumenteve, si dhe kriteret e përgjithshme për përzgjedhjen e kandidatëve (deri në 30 mars të çdo viti).
b- Ministri i Arsimit dhe Shkencës krijon Komisionet e Përzgjedhjes (KP) sipas fushave dhe Sekretarinë Teknike të Programit (STP). STP, pasi bën verifikimin e dokumentacionit, i jep informacion ministrit për numrin e aplikantëve dhe fushat ku ata kanë aplikuar.
c- Këshilli i Arsimit të Lartë dhe Shkencës harton kriteret për përzgjedhjen e Institucioneve të huaja të Arsimit të Lartë, fushat parësore dhe numrin e masën e bursave sipas fushave. Këto kritere bëhen publike.
d- STP njofton kandidatët për mbërritjen e dokumenteve të kërkuara dhe dokumentet e tjera që mund të duhen shtesë.

Faza e përzgjedhjes
a- STP verifikon dosjet për plotësimin formal të kritereve. Kandidatët që nuk plotësojnë kriteret bazë përjashtohen nga përzgjedhja në fazat e mëtejshme. Atyre u dërgohet njoftim për përjashtimin nga procedurat e mëtejshme të përzgjedhjes.
b- SPT bën publike listën e plotë të aplikantëve që plotësojnë dokumentacionin e kërkuar.

Faza e përzgjedhjes së parë:
a- STP bën një vlerësim dhe klasifikim të kandidatëve në bazë të kritereve të miratuara nga KALSH përmes një sistemi pikëzimi.
b- KP, mbështetur edhe në klasifikimin e përgatitur nga STP, bëjnë përzgjedhjen e parë, në të cilën miratohet një numër kërkesash që është maksimumi 30% më i madh se numri i bursave që mund të jepen. Kjo listë i paraqitet ministrit për dhënien e pëlqimit.
c- STP bën publike listën e kandidatëve që janë përzgjedhur për t`u intervistuar si dhe datat dhe vendin e zhvillimit të intervistave.

Faza e intervistës:
a- KP hartojnë një platformë standarde të intervistimit dhe të evidentimit të rezultateve të intervistës.
b- KP zhvillojnë intervistat.

Faza e përzgjedhjes përfundimtare:
a- KP, mbi bazën e rezultateve të përzgjedhjes së parë si dhe të atyre të intervistës, bëjnë klasifikimin përfundimtar të kandidatëve.
b- KP i dërgojnë listën ministrit të Arsimit dhe Shkencës për miratimin e kandidatëve fitues.

Shpallja e kandidatëve fitues:
Mbi bazën e numrit të bursave që disponohen dhe listës së përzgjedhjes përfundimtare, të përpiluar nga KP, ministri i Arsimit dhe Shkencës miraton listën e kandidatëve fitues. Kjo listë, së bashku me të dhënat më të rëndësishme të dosjeve të kandidatëve, bëhet publike.

Lidhja e kontratës:
a- MASH shpall afatin për lidhjen e kontratave për vitin e parë të studimeve.
b- Kandidatët fitues nënshkruajnë kontratën me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës. Në emër të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës kontratën e nënshkruan Sekretari i Përgjithshëm.
c- STP, në bashkëpunim me Zyrën e Financës së Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, zbatojnë kontratën dhe janë përgjegjës për veprimet financiare rutinë që bëhen me përfituesit e bursës.

10 Janar 2011

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›