E Enjte, 5 Nëntor 2026

MEDIA – Burimet e rinovueshme dhe turizmi i qëndrueshëm, sfida e AMAN-it

PALERMO, 5 qershor /ATSH-ANSA/ – Burimet e rinovueshme dhe turizmi i qëndrueshëm përbëjnë sfidën e Aleancës së Agjencive Mesdhetare të Lajmeve, AMAN, ku ATSH është anëtare me të drejta të plota.

Në këtë konferencë, Agjencia Telegrafike Shqiptare (ATSH) u përfaqësua nga drejtoresha e përgjithshme, Valbona Zhupa, e shoqëruar nga drejtoresha e Lajmeve dhe Multimedias, Almarina Gegvataj.

”Nga energjia e rinovueshme është e mundur të merren mjete dhe burime për të menaxhuar kriza të ndryshme, nga demografia te mjedisi dhe klima, ndërsa qëndrueshmëria është elementi qendror për menaxhimin e turizmit masiv dhe kjo na bën të reflektojmë në këtë kuptim”, thanë ekspertët në Konferenca e 32-të e AMAN-it, që po zhvillohet në Palermo.

Ekspertët i diskutuan këto probleme në konferencën e zhvilluar në ”Palazzo dei Normanni”, selia e Parlamentit sicilian.

”Qëndrueshmëria e ndërthurur me burimet e rinovueshme” ishte një temë tjetër e trajtuar në konferencë nga Alessandra Priante, presidente e ENI-t, nga ambasadori Francesco Talò, nga presidentja e agjencisë kroate të lajmeve, HINA, Majda Tafra Vlahoviç, nga Francesca Marino e kompanisë së transportit detare ”Grimaldi” dhe Ada Rosa Balzan, eksperte e integruar e qëndrueshmërisë.

Secili propozoi idenë e tij, ku Majda Tafra Vlahoviç bëri propozimin për të rritur ndërgjegjësimin përmes një rrjeti gazetarësh; Priante tregoi nevojën për planifikimin e flukseve turistike dhe një strategji të gjerë të qëndrueshmërisë mjedisore; Marino theksoi rëndësinë e transportit detar, më pak ndotësi dhe më i sigurti, i aftë për të menaxhuar “autostradat e detit” me anije gjithnjë e më moderne që reduktojnë ndjeshëm emetimet e dioksidit të karbonit siç po ndodh tashmë me flotën ”Grimaldi”.

Ambasadori Talò theksoi rëndësinë e “turizmit rrënjësor, në të cilin ministria është fokusuar”.

Në mesazhin e saj, ministrja italiane e Turizmit, Daniela Santanchè nënvizoi akordimin e 42 milionë eurove nga fondi për turizmin e qëndrueshëm dhe pesë milionë nga projekti ”Destinacionet e mëdha italiane për turizmin e qëndrueshëm”.

“Ne mbajmë gjithmonë parasysh tre dimensionet e qëndrueshmërisë: sociale, mjedisore dhe ekonomike”, tha ajo.

Për kryebashkiakun e Palermos, Roberto Lagalla “turizmi dhe energjia e rinovueshme janë rrugë që duhen ndjekur me vendosmëri edhe më të madhe”.

Duke përmbledhur takimin, CEO i ANSA-s, Stefano De Alessandri vuri në dukje se “ne nuk mund të bëjmë asgjë vetëm, ne mund të punojmë vetëm për ndryshimin e klimës dhe energjinë e rinovueshme nëse bashkëpunojmë si vende”.

”Historikisht hendeku në Mesdhe është i fortë dhe ne nuk mund të lejojmë që të rritet apo edhe të përkeqësohet”, theksoi ai./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›