E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

MF: Të ardhurat arritën 60,8 miliardë lekë në janar, 11,6% më shumë se në janar 2024

TIRANË, 3 mars /ATSH/ Performanca paraprake e treguesve fiskalë të konsoliduar për muajin Janar 2025 reflekton ecurinë pozitive të mbledhjes së të ardhurave dhe realizimit të shpenzimeve.

Ministria e Financave bëri të ditur sot se, të ardhurat totale për muajin Janar 2025 arritën në rreth 60,8 miliardë lekë dhe shpenzimet e përgjithshme publike, për muajin e parë të vitit 2025, arritën në rreth 45 miliardë lekë.

Sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Financave: Të ardhurat totale, për muajin Janar 2025, arritën në rreth 60,8 miliardë lekë ose 97,2% e planit të periudhës. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, u mblodhën rreth 6,3 miliardë lekë ose 11,6% më shumë.

Të ardhurat e arkëtuara nga Tatimet dhe Doganat pa kontributet, për periudhën Janar 2025, janë në shumën 40,2 miliardë lekë. Krahasuar me Janarin 2024, janë mbledhur 3,8 miliardë lekë ose 10,5% më shumë.

Ndërsa të ardhurat tatimore të mbledhura nga administrata doganore (të ardhurat nga TVSH në import, akciza, taksa doganore dhe renta minerare) u realizuan në vlerën 16,4 miliardë lekë, 1,3 miliardë lekë ose 9% më shumë se Janari 2024, dhe realizim sa plani i të ardhurave doganore për Janarin e vitit 2025.

Ndërsa shpenzimet e përgjithshme publike, për muajin e parë të vitit 2025, arritën në rreth 45 miliardë lekë me një realizim në masën 89,7% të planit të periudhës, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024, ky zë ka rezultuar 15,1% më i lartë ose rreth 5,9 miliardë lekë më shumë. Në terma vjetorë, shpenzimet e përgjithshme për 1-mujorin e vitit 2025 u realizuan në masën 5,5% të planit vjetor.

MF-ja bën të ditur se, shpenzimet korente, për periudhën 1-mujore të vitit 2025, rezultuan në rreth 44,5 miliardë lekë, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë ky zë ka rezultuar 15,5% më i lartë ose rreth 6 miliardë lekë më shumë.

/a.f/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›