E Shtunë, 31 Tetor 2026

MKRS ta dëgjojë zërin e artistëve

Ndonëse zyrtarë të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) thonë se viti 2011 ishte një vit i suksesshëm për kulturën në përgjithësi, ndryshe mendojnë artistët, të cilët thonë se ky vit do të mbahet mend për ndërhyrjet politike të Ministrisë në punën e institucioneve kulturorem dhe vlerësojnë se MKRS-ja ekziston për shkak të artistëve dhe, si e tillë, ajo duhet të jetë në shërbim dhe në funksion të kërkesave, nevojave, projekteve dhe ideve të artistëve. Ndërkaq, opozita e kritikon MKRS-në se nuk është treguar e aftë ta menaxhojë buxhetin ashtu si duhet.

Këshilltari i ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Shasivar Haxhijaj, duke folur për shpërndarjen e buxhetit, thotë se shpenzimet kryesore kanë qenë në investime kapitale.

“Realisht shpenzimet kryesore kanë qenë në investime kapitale, por ka pas shpenzime edhe në subvencione, në mbështetje të institucioneve të kulturës, por edhe në mallra dhe shërbime edhe në kategori të tjera të parapame me ligj”, ka thënë ai.

Kurse Vehbi Miftari nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), thotë se partia e tij vazhdimisht ka dhënë argumentet e saj për mos punën e kësaj Ministrie, duke e vënë në pah keq menaxhimin dhe modelin jo të mirë që e ka aplikuar për krijimin e relacioneve në mes Ministrisë së Kulturës dhe të institucioneve vartëse të saj.

“Në kemi ofruar argumentet tona, të cilat flasin mbi të gjitha për një mënyrë të panatyrshëm menaxhimi, për një model të panatyrshëm qeverisjeje dhe mbi të gjitha, për një zbrazëti të madhe në ndërtimin e relacioneve institucionale të institucioneve menaxhuese në mes Ministrisë dhe institucioneve vartëse të saj”, ka thënë ai.

E për “sukseset” e Ministrisë për këtë vit flet edhe regjisori Bekim Lumi. Ai thotë se Ministria në vend se t’i inkurajojë përpjekjet e artistëve, ajo i ka degraduar ata duke bërë ndërhyrje politike në institucionet kulturore të vendit.

“Më shumë se për investimet në art e në kulturë, viti 2011 do të mbahet në mend për ndërhyrjet politike dhe ndryshimet kadrovike të MKRS-së në disa nga institucionet kryesore kulturore. Në vend se t’i vlerësojë dhe inkurajojë përpjekjet e disa artistëve apo të ndonjërit nga drejtuesit e këtyre institucioneve, me politikat dhe ndërhyrjet e saj pa takt, ajo i ka dekurajuar ata dhe, në disa raste, siç është bie fjala me Teatrin Kombëtar të Kosovës, ajo e ka përkeqësuar dhe rënduar më shumë gjendjen edhe ashtu të rëndë në fushën e artit e të kulturës”, ka thënë regjisori Bekim Lumi.

Sipas tij, duhet të jetë e qartë dhe të nënkuptohet se nuk ekzistojnë artistët dhe institucionet kulturore për shkak të MKRS-së, por, përkundrazi, MKRS-ja ekziston për shkak të artistëve dhe, si e tillë, ajo duhet të jetë në shërbim dhe në funksion të kërkesave, nevojave, projekteve dhe ideve të artistëve.

Ndërkaq, këshilltari i ministrit, Shasivar Haxhijaj i përgjigjet regjisorit duke thënë se ky ka qenë viti ku më së paku ka pasur ndërhyrje politike dhe vendimet që janë marrë për emërimin dhe shkarkimin e bordeve, janë marrë nga njerëz kompetent.

“Për herë të parë në këtë vit në institucionet e kulturës mas paku ka pas ndërhyrje politike. Nuk mundet mu marr edhe mu qujtë ndërhyrje politike, në qoftë se emërohet ose shkarkohet një bord i caktum i njanit prej institucuioneve të kulturës. Për emërimin dhe shkarkimin e një bordi të njërit prej institucioneve të kulturës është e rregullume me ligj, ajo iu ka lënë në kompetencë dhe në përgjegjësi ministrit, edhe ministri i ka ushtru detyrat dhe përgjegjësitë e tij”, ka thënë Haxhijaj.

Ai shton se artistët mund të mos jenë të kënaqur, ngase nevojat dhe kërkesat e tyre mund të jenë shumë të mëdha, ndërsa mundësitë buxhetore në Ministrinë e Kulturës nuk janë aq të mëdha.

Në anën tjetër, Vehbi Miftari nga LDK-ja e akuzon Ministrinë e Kulturës se ka tendenca që ta tjetërsojë buxhetin e saj, në mënyrë që t’i ik suficitit buxhetor.

“Rrjedhojë e këtyre argumenteve kanë qenë natyrisht reagimet tona publike, të cilat janë të njohura, ndërsa rezultat dhe konfirmim i reagimeve tona është ajo që së fundmi vetë Ministria po e shpalosë pafuqinë e saj që të menaxhojë mbi të tjera edhe me vetë buxhetin e Ministrisë dhe tendencën e saj që këtë buxhet ta shtrijë ose ta rikthejë në qeveri për t’i ikur atij që quhet suficit buxhetor”, ka thënë ai.

Ndërsa, regjisori Bekim Lumi i bën thirrje Ministrisë së Kulturës që të çlirohet nga mentaliteti i ndërhyrjeve dhe presioneve klanore, burokratike e politike mbi institucionet kulturore dhe ta dëgjojë më shumë zërin e artistëve, kur është fjala për çështje të ndjeshme në kulturë.

“MKRS duhet të çlirohet njëherë e përgjithmonë nga mendësia e ndërhyrjeve dhe e presioneve klanore, burokratike e politike mbi njerëzit e artit e të kulturës dhe mbi institucionet kulturore. MKRS duhet ta dëgjojë shumë më tepër zërin e artistëve kur është fjala për çështje të ndjeshme, siç është, bie fjala, rasti me ndryshimin e njëanshëm dhe artificial të Ligjit për Teatrin, me versionin e fundit të të cilit degradohet krejtësisht roli, pozita dhe kompetencat e Drejtorit Artistik”, ka thënë ai.

Kësaj thirrjeje të Lumit, këshilltari i ministrit i përgjigjet duke i thënë se në vitin 2012 Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit pritet ta ketë buxhetin më të madh, me të cilin buxhet ai thotë se do të ketë përkrahje më të madhe, qoftë për artistët, qoftë për teatrin, si dhe për të gjitha degët e tjera që i takojnë ministrisë.

Ndryshe, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në vitin 2011 kishte buxhetin rreth 13 milionë euro, ndërsa sipas zyrtarëve të kësaj Ministrie, buxheti për vitin 2012 do të jetë mbi 18 milionë euro.

MKRS-ja ka në përbërjen e saj katër departamente kryesore, siç janë ai i Kulturës, Rinisë, Sportit dhe i Trashëgimisë Kulturore. (Kosovapress)

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›