Parlamenti i mjekrave

Egjiptianëve nuk ju mungon vetëbesimi. Si të arrish në aeroportin e Kajros, reklama e një kompanie të telefonisë mobile pasqyron disponimin në këtë vend:”Nuk ka asgjë të re në Egjipt-ne si zakonisht e bëjmë historinë”.
Për të përjetuar personalisht këtë orë të re të historisë, Ahmed Fouda është zgjuar herët nga gjumi. Dy orë para fillimit të seancës së parë të parlamentit të ri, të zgjedhur pas përmbysjes së presidentit autokrat, Hosni Mubarak, ky 42 vjeçar qëndron në rrugën Falaky, për të përcjellë nga afër deputetët, të cilët parakalojnë pranë tij.
“Jam tejet i lumtur. Për herë të parë ishim në gjendje që të votonim lirshëm”, thotë babai i katër fëmijëve. Dhe ishte kjo hera e parë që ai votoi në jetën e tij. “Më herët as që kemi pasur zgjedhje të vërteta”, rrëfen Ahmed.
Deri para një muaji dukej se çdo gjë do të rrënohej dhe se forcat e vjetra do të riktheheshin sërish. “Ata do të shkatërrojnë revolucionin tonë”, ishte ankuar Ahmedi atëbotë. Ai ka votuar për Vëllazërinë Myslimane. Më pas, në nëntor dhe dhjetor pati përleshje para parlamentit dhe ndërtesës së qeverisë. Forcat e sigurisë ndërhynë në mënyrë brutale.
Dhunë u ushtrua edhe nga ana e protestuesve. Flitej për një kundër-revolucion. Që nga ajo kohë, ndërtesa e parlamentit është e rrethuar me një mur të betonit. Deputetët i afrohen ngadalë pozicioneve të policisë, të përcjellë nga duartrokitjet frenetike të ithtarëve dhe votuesve të tyre.
Rreth tri orë zgjatë betimi i 508 deputetëve. Synojnë t’i shërbejnë popullit, të respektojnë kushtetutën dhe ligjet. Kaq shumë mjekra parlamenti i Egjiptit me gjasë nuk ka parë asnjëherë, që nga themelimi i tij në vitin 1923. Më shumë se 10 milionë egjiptianë kanë votuar për Vëllazërinë Myslimanë-pra 47 për qind e votuesve.
7.5 milionë egjiptianë tjerë, apo 25 për qind prej tyre, kanë votuar për partinë radikale islamike të salafistëve. Ata fillimisht kishin paralajmëruar se do të detyrojnë deputetet e tyre që betimin e tyre ta bëjnë në përputhje me ligjin islamik. Or konfrontimi fillimisht u shmang.
Edhe salafistët japin betimin, sikurse edhe të gjithë deputetet tjerë të zgjedhur.
Së bashku, të gjitha partitë islamike kanë dy të tretat e ulëseve në parlament.
Prandaj nuk është e arsyeshme të besohet se partitë islamike nuk do të tentojnë që të imponojnë rregullat e tyre. Se në çfarë mase do të ndodhë kjo, do të dëshmojnë javët në vijim, kur parlamenti do të fillojë me miratimin e ligjeve të reja.
Se sa e ashpër mund të jetë përplasja, mund të paramendohet duke marrë parasysh protestat, të cilat u organizuan në qendër të Kajros, përderisa po zhvillohej seanca e parë në parlament.
Në Facebook ditëve të fundit në vazhdimësi ka qarkulluar postimi:”Nëse një revolucion, i kryesuar nga liberalët e ri, revolucion ky i cili i kushtoi qindra prej tyre me jetë, përfundon me hyrjen e Vëllazërisë Myslimane në parlament, atëherë jeni në Egjipt”.
Islamistët po akuzohen se po bashkëpunojnë me ushtrinë, e që nuk ishte fare qëllimi i revolucionit. “Rojtarët e revolucionit” kanë bërë thirrje për një protestë masive më 25 janar, përvjetorin e parë të fillimit të revolucionit. Është planifikuar “Java e pikëllimit dhe hidhërimit” dhe ekziston frika për trazira të reja.
Diplomatët perëndimorë llogarisin se udhëheqësit e revolucionit nuk do të pranojnë pa rezistencë humbjen në zgjedhje. Ato pak parti, të cilat kanë dalë nga kjo lëvizje, kanë fituar vetëm 3.4 për qind të votave.
Amr Hamzavy dhe Mustafa Al Nagar janë të vetmit revolucionarë, të cilët siguruan ulëse në parlament. Hidhërimi pra është tejet i madh dhe mund të zbrazët sërish në rrugë.