MM: Nuk shesim prona. PS: Imami të heqë dorë nga abuzimi me pasuritë
Tiranë- Pas publikimit në media se Ministria e Mbrojtjes po shet prona publike, ka reaguar institucioni i drejtuar nga Arben Imami duke thënë se ato ‘janë sulme me frymëzim personal’.
Pronat në fjalë kanë dhjetë vjet që kanë dalë nga Plani i Përhapjes së Forcave të Armatosura nga ish ministra socialistë që kanë drejtuar ministrinë e Mbrojtjes dhe sipas ligjit i janë dorëzuar ministrisë së Ekonomisë për vijimin e procedurave ligjore.
Shitja e këtyre pronave nuk bëhet nga Ministria e Mbrojtjes, por nga Drejtoria e Shitjes së Pronave Publike në Ministrinë e Financave. Kohën dhe çmimet e shitjes së këtyre pronave nuk i përcakton Ministria e Mbrojtjes, por institucione të ngarkuara me ligj për shitjen dhe privatizimin e pronave shtetërore, ndaj për cdo shqetësim për ligjshmërinë e procesit të shitjes së pronave, duhet ti drejtohen institucioneve përkatëse si Ministria e Financave dhe Ministria e Ekonomisë,-thuhet në deklaratën e MM-së.
PS: Imami po shet me çmime qesharake pasuritë publike
Ermonela Felaj në emër të PS-së tha sot se ministri Arben Imami duket i vendosur ta çojë deri në fund ‘zullumin e tij në krye të Ministrisë së Mbrojtjes duke nxjerrë në ankand një numër pronash të Ushtrisë Shqiptare’.
“Në ankandin e datave 16 dhe 17 korrik, ky ministër ka nxjerrë në shitje me një çmim ndjeshëm nën vlerën e tregut, disa prona në zonat më të lakmueshme turistike të vendit, siç është për shembull një sipërfaqe prej 3000 metrash katrorë në Ksamil e nxjerrë në shitje me një çmim fillestar prej 12 milion lekësh apo një truall prej 625 metrash katrorë në Babicë për vetëm 2 milionë lekë.
Është absurde që një ministër që u ndëshkua rëndë me votë në qarkun që drejtonte; një ministër qeveria e të cilit u ndëshkua me votën e 1 milionë shqiptarëve pikërisht për vjedhjet, abuzimet, shpërdorimin e pasurisë publike në emër të interesave personale e klienteliste, vazhdon ende sot të abuzojë me pronën publike si të mos ketë ndodhur asgjë.
Partia Socialiste i ka denoncuar në vijimësi abuzimet dhe shpërdorimin e aseteve e pronave publike nga ana e qeverisë në ikje, në emër të pasurimit të një grushti njerëzish të lidhur drejtpërdrejtë me pushtetin.
I kemi denoncuar po ashtu në vijimësi shkeljet flagrante të ministrit Imami i cili duhet thënë se ka spikatur me bëmat e abuzimet e tij. Prandaj e përsërisim sot edhe njëherë thirrjen, së pari, për vetë Arben Imamin që të tërhiqet nga çdo akt abuzimi me pronën publike.
Por ndjejmë po ashtu detyrimin të përsërisim thirrjen edhe ndaj sipërmarrësve që të mos përfshihen në asnjë marrëdhënie të re parash apo pronash me këtë qeveri, e cila në çdo vend demokratik në këto momente do të duhej vetëm të përkujdesej për transferimin e detyrës e jo të merrte vendime të këtij karakteri”,-thotë PS-ja.