E Shtunë, 31 Tetor 2026

MM:Interesi i PS-së janë shpifjet dhe trillimet

Ministria e Mbrojtjes i është kundërpërgjigjur sërish sot akuzave të Partisë Socialiste për trafik armësh.  Në një konferencë për shtyp, zëdhënësja e ministrisë ka theksuar se interesi i Partisë Socialiste janë shpifjet dhe trillimet dhe jo e vërteta.

"Akti i tregëtimit të armëve është i ligjshëm dhe është i bazuar në ligjin e brendshëm dhe në ligjet ndërkombëtare. Akuzat e Partisë Socialiste janë shpifje të neveritshme" shtoi ajo.

Sipas saj, Partia Socialiste desinformon opininin publik dhe bëhet qesharake me deklaratat e saj.  “Ju zoti Braçe vidhni letrat duke disinformuar opinionin publik dhe duke u bërë qesharak. Ju bini nga një gafë në tjetrën” tha zëdhënësja.

Ajo ka shtuar më tej se deputeti Braçe ka shkelur tre ligje dhe për këtë do të përgjigjet përpara drejtësisë.

Ndërkohë më herët deputeti i PS-së Erjon Braçe ka paraqitur para mediave të tjera dokumenta të cilat sipas tij vërtetojnë korrupsionin që është bërë nga ministria e mbrojtjes.

Sipas deputetit Braçe bëhet fjalë për një kontratë që ka si objekt shitjen në Jemen të 20 mijë predhave dhe mortajave dhe 4 milion fishekëve.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›