Panariti në Strasburg, takon Mignon dhe Jagland

Ministri i jashtëm Edmond Panariti gjatë vizitës së tij në Strasburg është takuar sot me Presidentin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Jean Claude Mignon dhe Sekretarin e Përgjithshëm të KiE-së Thorbjorn Jagland.
Gjatë takimit Presidenti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Jean Claude Mignon, shprehu kënaqësinë për progresin e jashtëzakonshëm që ka përjetuar Shqipëria, duke nënvizuar se askush nuk mund ta mendonte në 1990 që ky vend do të ishte sot në krye të një organizate kaq të rëndësishme.
Nga ana e tij Ministri i Jashtëm, evidentoi angazhimin e Shqipërisë për përmbushjen e objektivat të agjendës së Presidencës së saj në krye të kësaj Organizate. Marrja e Presidencës nga Shqipëria ishte një sfidë.
Ndërsa sekretari i përgjithshëm i AP-së të KiE-së Jagland gjatë takimit me ministrin Panariti vlerësoi se Presidenca shqiptare e Këshillit të Evropës erdhi në një moment tepër të veçantë për Shqipërinë, e cila feston këtë vit edhe 100- vjetorin e Pavarësisë.
Ministri Panariti e njohu Sekretarin Jagland me kontributin që po jep Shqipëria edhe në rajon për të promovuar stabilitetin dhe paqen në rajon, por edhe për të forcuar dhe konsoliduar marrëdhëniet me vendet fqinje.