MOSKË – Kremlini: Rusia dhe SHBA-ja po përgatiten për bisedime të nivelit të lartë

MOSKË, 26 shkurt /ATSH/- Kremlini tha sot se ekspertët e Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës po përgatiteshin për bisedime të nivelit të lartë – pas takimit mes ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov dhe sekretarit amerikan të shtetit, Marco Rubio në kryeqytetin saudit, Riad, javën e kaluar dhe një bisede telefonike midis Vladimir Putin dhe Donald Trump, sipas “Reuters”.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov përsëriti se kishte një mirëkuptim mes Trump dhe Putin – të cilët duhet të takoheshin personalisht pas përgatitjes së plotë.
“Ende nuk ka detaje se kur dhe ku do të ndodhë kjo”, tha Peskov.
Ai tha se të dy liderët mund të flisnin sërish me telefon nëse do të ishte e nevojshme, por nuk kishte plane aktuale për këtë.
“Po përgatiten kontakte në nivel ekspertësh përmes Ministrive të Punëve të Jashtme”, tha Peskov, pa dhënë detaje të mëtejshme.
Trump ka shprehur dëshirën për të arritur një armëpushim në luftën Rusi-Ukrainë sa më shpejt të jetë e mundur.
Putin këtë javë zbuti pritshmëritë për një marrëveshje të shpejtë për Ukrainën, duke thënë se kontaktet SHBA-Rusi fillimisht do të fokusoheshin në riparimin e besimit midis Moskës dhe Uashingtonit.
Peskov nuk pranoi të komentonte mbi marrëveshjen e raportuar për mineralet midis SHBA-së dhe Ukrainës.
Zëdhënësi i Kremlinit vuri në dukje raportet e medieve – të cilat njoftonin se presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky do të vizitonte Trump të premten.
“Nëse do të jetë për të nënshkruar marrëveshjen e lartpërmendur apo diçka tjetër, do të shohim”, tha ai.
Një burim i njohur tha se projektmarrëveshja SHBA-Ukrainë për mineralet nuk specifikon ndonjë garanci të sigurisë së Uashingtonit – por ajo vetëm se Shtetet e Bashkuara të Amerikës duan që Ukraina të jetë “e lirë, sovrane dhe e sigurt”. //a.i/