E Hënë, 2 Nëntor 2026

Nga dhimbjet në lavdi, rrëfimi i Majlinda Kelmendit

PRISHTINË, 21 nëntor /ATSH/ Rrëfimi i Majlinda Kelmendit prek thellë botën e sportit dhe publikun.

Kampionia olimpike, e cila sot udhëheq gjeneratën e re si trajnere e xhudos, në Konferencën e Pestë Shkencore Ndërkombëtare në Edukim Fizik, Sport dhe Shëndet, ka ndarë një prej kapitujve më të vështirë të karrierës së saj, një betejë e heshtur me lëndime të rënda, dhimbje të përditshme dhe sfida të rënduara psikologjike.

Në një dëshmi të rrallë, Kelmendi tregon se si “hernia diskale”, frika e humbjes së formës dhe pasiguritë e panikut i rrezikuan jo vetëm performancën, por mbarë karrierën. Ky është rrëfimi i një kampioneje që, edhe në momente të thyerjes fizike dhe emocionale, refuzoi të dorëzohej.

“Në momentin kur më kanë ardhur lëndimet ka qenë viti 2015, edhe prej atij momentit kur kam filluar të kem dhimbje, aspekti psikologjik ka qenë gjithmonë shumë i vështirë. Për një sportist, pjesa më e vështirë gjatë karrierës janë lëndimet, janë diçka që vijnë pa pritur edhe që nuk e di se si të sillesh, ndoshta je stërvitur shumë mirë për një kampionat botëror edhe ndodh që katër apo pesë muaj para asaj gare vjen lëndimi dhe nuk di se si të sillesh… Në katër vitet e fundit gjatë karrierës mund të them që jam zgjuar prej gjumit me dhimbje, gjatë ditës kam pasur dhimbje dhe kur kam rënë për të fjetur kam pasur dhimbje. Kam pasur një lëndim shumë serioz në qafë, kam pasur ‘hernie diskale’ që gati pothuajse ishte aty në limitet e saj për ta prekur boshtin kurrizor edhe anën e majtë e kam pasur në katër vitet e fundit të karrierës as 50 për qind. Dora ime e majtë ka qenë adut kurse arma ime e fortë në luftë.

Kështu që në njëfarë forme na është dashur të adoptohemi aspektit tim fizik që t’i përshtatem me stërvitje dhe ndoshta ta ndryshoj taktikën të luftës, për shkak se dora ime e majtë nuk ishte më e njëjtë. Kështu që krejt kjo periudhë e vështirë për shkak të lëndimeve që i kam pasur ka bërë që unë një vit e gjysmë para Lojërave Olimpike në Tokio të filloj të kem atak paniku dhe realisht nuk e kam ditur as se çfarë është”, tha ajo.

“Thjeshtë ka ndodhur që ishim në gara edhe një natë para garave kemi qenë në Katar, në Doha, në masters edhe jam zgjuar natën, nuk mund të ngopesha me frymë, kam filluar të djersitem, të dridhem dhe nuk e dija as se çfarë ishte. Ishim në dhomë së bashku me Distria Krasniqin edhe ajo u zgjua, ‘çfarë ke?”, tha, nuk e di, nuk jam mirë dhe ishim në katin e 50-të, më e keqja ishte se dritaret nuk hapeshin, thoja që të hyj në ashensor, ashensori ishte shumë i ngushtë, kisha frikë se mos po bëhet edhe më keq. Kështu që krejt rastësisht e kam kuptuar se çfarë problemi kisha edhe që ndoshta kjo është dashur të trajtohet, por këtë e kam kuptuar pas përfundimit të Lojërave Olimpike në Tokio dhe nuk është e drejtë që një sportist si unë ta mbyllë karrierën ashtu siç e kam mbyllur unë”, rrëfeu Kelmendi.

Në karrierën e saj, Majlinda Kelmendi është shpallur Kampione olimpike – medalje ari në Lojërat Olimpike, Rio 2016, dy herë kampione bote në xhudo (52 kg), në 2013 dhe 2014, kampione Evropiane, shumë herë e fituar në garat e Evropës.

/KosovaPress//r.e/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›