E Enjte, 5 Nëntor 2026

MOSKË – Rusia bllokon aksesin në 81 media evropiane

MOSKË, 25 qershor /ATSH-DPA/- Në përgjigje të ndalimit të transmetimit të disa mediave ruse në Evropë, Rusia ka futur në listën e zezë 81 kompani mediatike evropiane.

“Transmetimi i programeve dhe aksesi në faqet e internetit të mediave do të bllokohen”, njoftoi sot Ministria e Jashtme ruse në faqen e saj.

Mediat gjermane të prekura përfshijnë revistën “Der Spiegel”, të përjavshmen “Die Zeit” dhe gazetën e përditshme “Frankfurter Allgemeine Zeitung”.

Në Austri, transmetuesi publik ORF dhe “Austrian Media Group” u prekën gjithashtu. Transmetuesi franko-gjerman “Arte” është gjithashtu në listën e mediave të ndaluara.

Me një total prej nëntë kompanish të listuara, Franca është vendi i BE-së më i sanksionuar nga Moska.

Në maj, shtetet e Bashkimit Evropian vendosën sanksione ndaj agjencisë shtetërore ruse të lajmeve “Ria Novosti”, gazetës qeveritare “Rossiyskaya Gazeta”, platformës “Zëri i Evropës” dhe gazetës pro-Kremlinit “Izvestia”, e cila zotëron edhe një stacion televiziv.

Kjo do të thotë se ato do të bllokohen në të gjithë BE-në.

Megjithatë, sipas shteteve anëtare të BE-së, media dhe punonjësit e tyre mund të vazhdojnë të punojnë në BE. Ndalimi hyri sot në fuqi.

Nëse BE-ja heq kufizimet ndaj medias ruse, Moska gjithashtu do të jetë e përgatitur të marrë në konsideratë heqjen e bllokadës. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›