MOSKË – Rusia paralajmëron SHBA-në për fluturimet e dronëve amerikanë mbi Detin e Zi

MOSKË, 28 qershor /ATSH-DPA/- Rusia u ankua sot për praninë e dronëve amerikanë mbi Detin e Zi, të cilët përdoren për të kryer zbulime dhe për të përcjellë informacione tek forcat ukrainase.
Ministria ruse e Mbrojtjes e konsideroi aktivitetin e dronëve një “provokim” që do të pritej me një përgjigje të paspecifikuar dhe argumentoi se avioni pa pilot po përshkallëzonte rrezikun e një lufte më të gjerë.
“Kjo tregon përfshirjen në rritje të SHBA-së dhe NATO-s në konfliktin në Ukrainë”, tha në një deklaratë ministria, duke shtuar se numri i fluturimeve me dron spiunazhi po rritet.
“Fluturime të tilla shumëfishojnë mundësinë e incidenteve ajrore me avionët rusë, gjë që rrit rrezikun e konfrontimit të drejtpërdrejtë të aleancës me Federatën Ruse”, thuhet në deklaratë.
Uashingtoni dhe Moska janë përplasur më parë për këtë çështje. Në mars 2023, një avion luftarak rus Su-27 dëmtoi një dron të SHBA-së MQ-9 Reaper, duke bërë që ai të rrëzohej në Detin e Zi.
Një përsëritje e një konfrontimi të tillë mund të nxisë më tej tensionet për luftën në Ukrainë.
Pas aneksimit të gadishullit të Krimesë të Ukrainës në vitin 2014, i cili nuk njihet nga ligji ndërkombëtar, Rusia konsideron pjesë më të mëdha të Detit të Zi si territorin e saj. //a.i/