E Diel, 1 Nëntor 2026

MOTO GP. Lorenco rrëzohet, Rosi pranë titullit

Valentino Rosi thuajse e ka vënë në kasafortë titullin kampion në Moto Grand Pri, pas një vendi të dytë tepër të rëndësishëm në garën e Australisë. Piloti italian i Jamahas ka përfituar edhe nga rrëzimi i rivalit Horge Lorenco në kthesën e parë, duke e çuar në 38 pikë diferencën me të. Javën e ardhshme në Malajzi, për Rosin pritet të jetë gjithçka një lojë fëmijësh. Ndërkohë, në Australi ka triumfuar piloti i shtëpisë, Kejsi Stoner. Australiani i Dukatit e ka nisur garën nga vendi i parë dhe deri në fund ka qenë perfekt. Pas tij ka patur gjithnjë Valentino Rosin, por italiani ka dështuar në dy tentativa parakalimi. Vendi i tretë i ka takuar Dani Pedrozës me Hondën dhe menjëherë pas tij janë renditur Aleks De Anxhelis e Kolin Eduards. Botërori i Moto Grand Pri ka edhe dy gara deri në përfundim, por duket se gjithçka është vendosur përsa i përket titullit. Valentino Rosi është shumë pranë shpalljes për herë të nëntë kampion, pasi Lorencos i duhet të rekuperojë 38 pikë nga 50 që janë në lojë në total. Kampionati i sivjetshëm ka qenë që nga fillimi një betejë brenda skuderisë Jamaha, me Rosin e Lorencon që kishin rivalë vetëm njëri-tjetrin. (m.a/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›