E Shtunë, 31 Tetor 2026

MPB: Rexhep Krasniqi shpif

Ministria e Punëve të Brendshme ka reaguar sot ndaj akuzave publike të përfaqësuesit të kompanisë “Iliricum.A”, Rexhep Krasniqi, duke i quajtur ato të pavërteta dhe shpifje.

Në një komunikatë për media, MPB-ja ka bërë të ditur se, pas njoftimit nga ana e Drejtorit të Departamentit për krime ekonomike në Policinë e Kosovës në shkurt të vitit 2012, se ndaj kontraktuesit “Iiricum. A” janë duke u zhvilluar procedura hetimore në lidhje me zbatimin e kontratës për qiradhënie për të riatdhesuarit, Ministria e Punëve të Brendshme menjëherë ka marrë vendim me të cilin ka formuar komisionin për verifikim dhe konstatimin e gjendjes reale të akomodimit të personave të riatdhesuar.

“Komisioni pas daljes në terren ka konstatuar se janë shkelur kushtet përmbajtjesore të kontratës “Marrja e banesave me qira, për familjet e kthyera” me numër identifikuar, 214 11 011 111”.

Si prova për ndërprerje të kontratës, MPB-ja njofton se janë Raportet e Policisë nga Njësia për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion, raporti i komisionit për verifikim dhe konstatim të gjendjes reale(faktike) të akomodimit të personave të riatdhesuar, raportet e organizatave ndërkombëtare, shkresat elektronike lidhur me njoftimin për ndërprerjen e porosive dhe ndalesat e pagesave për banesat rezervë, shkresa elektronike dërguar operatorit ekonomik për ndërprerjen e kontratës nga MPB-ja.

“Për shkak të shkeljes së kushteve përmbajtjesore të kontratës dhe shkeljeve tjera edhe Njësia për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Policisë së Kosovës ka ngritur kallëzim penal ndaj Rexhep Krasniqit, përfaqësues i kompanisë “Iliricum. A”, thuhet në komunikatën e MPB-së.

Pas shkëputjes së kontratës me operatorin ekonomik, MPB, thotë se ka vazhduar me akomodimin e personave të riatdhesuar përmes lidhjes së kontratave të drejtpërdrejta dhe si rezultat është ulur kostoja e shpenzimeve dhe është kursyer buxheti i MPB-së për shumën vjetore prej, 794,213.04 euro. /Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›