E Diel, 1 Nëntor 2026

MPJ, Berisha shmang takimin me Topin

Kryeministri largohet nga konferenca e ambasadorëve me pretekstin se do drejtojë mbledhjen e qeverisë


TIRANË - Përplasja e kohëve të fundit mes mazhorancës dhe presidentit Topi është vënë dje në dukje teksa kryeministri Berisha ka preferuar që të mos qëndrojë në mbledhjen e ambasadorëve në kohën kur do të mbahej fjalimi i Presidentit.


Kontradiktat mes dy krerëve të shtetit janë vënë re me rrëzimin e kandidaturave të Topit për Gjykatën Kushtetuese dhe atë të Lartë, si dhe me qëndrimin kundër të Presidentit për Ligjin e Pronave dhe atë të SHISH.


Shmangia e takimit mes Presidentit dhe Kryeministrit u vu re që në fillim të takimit kur në panel ndodheshin vetëm dy dhe jo tre karrige. Në njërën prej tyre qëndroi gjatë të gjithë kohës zv.kryeministri Meta, ndërsa në tjetrën u ulën me radhë kryeministri Berisha e më pas Presidenti Topi.


Fjala kryesore e takimit iu la kryeministrit Berisha në një kohë kur i takonte presidentit Topi, i cili, përveçse përfaqëson juridikisht shtetin shqiptar, është personi që dekreton ambasadorët shqiptarë dhe pret kredencialet e ambasadorëve të huaj.


Por, pas fjalës së mbajtur nga Ministri i Jashtëm, Ilir Meta dhe Kryeministri Berisha, u lajmërua nga kreu i diplomacisë shqiptare për një pushim të shkurtër. Në ato momente, rreth orës 11:00 të paradites së djeshme, Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, u largua nga ambientet ku zhvillohej konferenca e ambasadorëve për t'iu drejtuar godinës së ekzekutivit, për të drejtuar mbledhjen e Këshillit të Ministrave.


Të paktën ky është shpjegimi që kanë dhënë organizuesit për lëvizjen e Kryeministrit. Ndërsa Presidenti i Republikës, Bamir Topi, nuk ishte i pranishëm në pjesën e parë të konferencës, pasi, sipas axhendës së qeverisë, duhet të vinte vetëm në pjesën e dytë.


Në kohën e pushimit, presidenti Topi u shfaq në ambientet ku zhvillohej takimi i ambasadorëve. Largimi i Berishës dhe ardhja e Topit kanë "koinciduar" në një formë që në asnjë moment mos gjendeshin përballë njëri-tjetrit.


Pas një pushimi që zgjati për disa minuta, konferenca e ambasadorëve ka nisur sërish dhe fjalën përshëndetëse e mori Presidenti Topi. Me mbarimin e fjalës së këtij të fundit, konferenca e ambasadorëve u shpërngul në ambientet e Ministrisë së Jashtme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›