PS: Lepuri i korrupsionit fle tek Berisha
Sekretari i grupit Parlamentar Socialist, Taulant Balla, i përgjigjet akuzave të demokratëve se ku fle lepuri i korrupsionit
Socialistët paraqesin të dhëna se firmat që morën koncesionet në lumin Kardhiq janë të Arian Tartarit
TIRANË- Njeriu që bashkëjeton me deputeten e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, ka marrë me koncesion gjashtë hidrocentrale mbi lumin Kardhiq. Zonja Vokshi ka pretenduar pak ditë më parë se bashkëjetuesi i saj nuk ka marrë asnjë hidrocentral por në fakt është një konsorcium biznesesh qi që ka fituar koncesionin.
Por kontrata e lidhur nga ish-ministri i Ekonomisë, Genc Ruli, tregon se në të vërtetë konsorciumi përbëhet nga kompani që janë në pronësi të Arian Tartarit. Kontrata e koncesionit u publikua nga ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti ndërsa dje deputeti i PS, Taulant Balla, publikoi dokumentet e QKR që tregojnë se kompanitë janë nën pronësinë e Tartarit.
Deputeti Balla sqaroi se konsorciumi për të cilin flet ministri, sipas kontratës të bërë publike prej tij, përbëhet nga këto kompani: ALBAENERGIAPLUS, IMPULS 95, PACIFIC PETROLEUM ALBANIA dhe ART CONSTRUCTION. "Duke qenë se gjatë këtyre ditëve Sali Berisha i ka kërkuar Partisë Socialiste të tregojë se ku fle lepuri i korrupsionit, ne përmes këtyre dokumenteve po japim përgjigje.
Lepuri i parë i korrupsionit: kompania ALBAENERGIAPLUS, pjesë e konsorciumit që ka përfituar koncesionin për ndërtimin e gjashtë hidrocentraleve, ka si përfaqësues të saj juridik dhe pronar, partnerin e Albana Vokshit, Arian Tartarin", publikoi të dhënat zyrtari lartë socialist.
Më tej, deputeti i PS deklaroi se "lepuri i dytë i korrupsionit fle tek kompania PACIFIC PETROLEUM ALBANIA, edhe kjo pjesë e konsorciumit, sërish përfitues i gjashtë hidrocentraleve, ka si përfaqësues të saj juridik dhe pronar, zotin Arian Tartari". Gjithashtu, Balla nënvizoi se lepuri i tretë i korrupsionit fle tek kompania ART CONSTRUCTION që sërish ka si përfaqësues juridik dhe pronar zotin Arian Tartari.
"Pra pavarësisht se kompanitë janë disa, të gjitha këto kompani janë pronë e Arian Tartarit. Meqë Sali Berisha kishte merak të dinte se ku fle lepuri i korrupsionit, përgjigja që vjen nga këto dokumente është e qartë: Lepuri i korrupsionit fle në familjen e Sali Berishës, me Albana Vokshin e kompani", iu përgjigj akuzave të mazhorancës, Taulant Balla.
Prej disa ditësh Partia Socialiste ka publikuar fakte mbi korrupsionin që ka prekur qeverinë. Krahas kësaj, Partia Socialiste ka paralajmëruar se do të paraqesë raste të tjera që lidhen me korrupsionin qeverisës. Do të jenë afera të tjera korruptive që lidhen me familjarë të afërt të ministrave të kabinetit qeveritar që do të denoncohen publikisht nga zyrtarë të lartë të Partisë Socialiste.
Përgjigja
"Pra, pavarësisht se kompanitë janë disa, të gjitha këto kompani janë pronë e Arjan Tartarit. Meqë Sali Berisha kishte merak të dinte se ku fle lepuri i korrupsionit, përgjigja që vjen nga këto dokumente është e qartë: Lepuri i korrupsionit fle në familjen e Sali Berishës, me Albana Vokshin e kompani", deklaroi Balla.
Deputetja e PD pranon se në tre kompanitë e bashkuara, bashkëpronar është Arian Tartari
Vokshi: Tartari do ndërtojë 6 HEC-e në Kardhiq
TIRANË- Deputetja e Partia Demokratike, Albana Vokshi, ka reaguar dje ndaj akuzave të socialistëve, duke vlerësuar se shpifjet në drejtimin e saj dhe familjes së saj po vijnë vetëm si pasojë e denoncimeve publike të korrupsionit të Edvin Kristaq Ramës. "PS doli me zbulimin tjetër të radhës, që Arian Tartari na qenkërka pronar apo bashkëpronar në 4 kompani. Dhe ky qenka krimi më i madh.
Askush nuk paska të drejtë të bëjë biznes në Shqipëri përveç Lepujve dhe sekserëve të Edvin Ramës. Unë i përmbahem të gjitha deklaratave që kam bërë deri më sot", reagoi Vokshi.
Sipas saj, "bashkimi i kompanive, ku bashkëpronar në tre prej tyre është edhe Arian Tartari, ka marrë vetëm një kontratë koncesionale për lumin Kardhiq për ndërtimin e 6 HEC-ve të vegjël me kapacitet total prej 10.3 megavat".
Ajo sqaroi se "këtë e ka bërë me garë të hapur publike duke respektuar parimin e transparencës dhe konkurrencës së ndershme, pa i paguar ndonjë lepuri 20 përqindëshin".
"Deri më tani janë dhënë rreth 100 kontrata, ku është parashikuar ndërtimi i 240 HEC-ve. Çdo garë për koncesion bëhet mbi kapacitetin energjetik e jo mbi numrin e hidrocentraleve që do të ndërtohen mbi një lum.
Mbase simulantët e përdorur, as tani nuk ju lënë të kuptoni që ndërtimi i shumë HEC-i brenda një kontrate, për arritjen e kapacitetit energjetik të kërkuar, përveç se shton koston dhe vlerën e investimit në kurriz të investitorit privat duke ulur fitimet, nuk i jep atij asnjë lloj privilegji", sqaroi akuzat e Partisë Socialiste, deputetja Albana Vokshi.