MTKRS-ja shpall konkursin për bustin e Fan Nolit
Ministria e Turizmit Kulturës Rinisë dhe Sporteve shpalli konkursin kombëtar, për realizimin në skulpturë të bustit kushtuar figurës së shquar kombëtare Fan Noli, i cili do të vendoset në një nga sheshet e qytetit të tij të lindjes Ibrik Tepe të Turqisë. Kuratori Ylli Drishti ka konfirmuar për "Ora News" shpalljen e konkursit si dhe mirëpret konkurentët pranë Galerisë Kombëtare të Arteve që të tërheqin udhëzimet që do të duhen për ndërtimin e bustit. Në këtë konkurs kanë të drejtë të marrin pjesë artistë dhe arkitektë shqiptarë. Punimi nuk duhet të jetë pjesëmarrës apo të jetë ekspozuar në veprimtari të tjera të mëparëshme të këtij lloji. Boceti duhet të jetë i realizuar në lartësinë 70 cm dhe portreti i Fan Nolit të jetë në madhësi natyrale, ku të dallohen qartë tiparet dhe psikologjia e tij. Në fund të konkursit një juri e propozuar nga drejtori i GKA dhe të miratuar nga MTKRS do të shpallë edhe fituesin për punimin më të mirë.