MTKRS, në mbrojtje të Aurel Plasarit

Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve e Shqipërisë, është shprehur në mbështetje të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, pas debatit të shkaktuar nga disa shtetas të huaj, lidhur me Sistemin Kombëtar të Bibliotekave në Republikën e Shqipërisë, si dhe në veçanti me rolin dhe pozicionin e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë në këtë sistem.
Vetëm pak ditë më parë, Aurel Plasari denoncoi në organet kompetente dy persona, njërin serb e tjetrin slloven, se po bënin presion që BKSH të bëhet pjesë e sistemit "Kobis", menaxhuar dhe drejtuar prej tyre. Përmes një komunikate për shtyp, dikasteri ka vlerësuar qëndrimin e drejtorit të Bibliotekës Kombëtare, Aurel Plasari, duke e çmuar punën e tij, sidomos në anëtarësimin e BKSH në "World Digital Library". Sa u takon marrëdhënieve profesionale me bibliotekat sllovene, MTKRS konstaton se BKSH, duke e konsideruar modelin bibliotekar slloven si ndër më të përparuarit në nivel evropian, prej më se një dhjetëvjeçari e ka trajtuar në mënyrë të veçantë bashkëpunimin në veprimtari trajnuese të përbashkëta, si me Bibliotekën Kombëtare Universitare të Sllovenisë, me bibliotekën publike "Oton Zhupancic" të Lubjanës etj.
Pak ditë më parë, drejtori i Bibliotekës Kombëtare, Aurel Plasari, ka denoncuar pranë Shërbimit Informativ, Prokurorisë dhe qeverise, sulmin që dy shtetas sllavë, kanë bërë në adresë të bibliotekës dhe institucioneve kulturore shqiptare. Sipas tij, një nënshtetas serb i quajtur Streten Ugreciq, drejtor i Bibliotekës Kombëtare të Serbisë (Beograd), dhe një nënshtetas slloven, i quajtur Tomaz Seljak që paraqitet në Shqipëri me detyrën e drejtorit të një institucioni të quajtur Institut Informacijskih Znanost, Maribor (Slloveni), kanë ushtruar forma të ndryshme presioni, në mënyrë që baza e të dhënave të Bibliotekës Kombëtare të bëhet pjesë e sistemit "Kobis", menaxhuar dhe drejtuar prej tyre.
Plasari ka shprehur bindjen se këta dy persona kërkojnë të shpenzojnë fonde dhe para që i paraqesin si të tyret, po që në të vërtetë rezultojnë fonde të BE-së. Nga ana e tyre, të gjendur këto ditë në Shqipëri, Streten dhe Seljak, kanë mohuar të kenë ushtruar presion, por pranojnë se prej shumë kohesh përpiqen të bëjnë pjesë e sistemit online të disa bibliotekave, edhe Bibliotekën e Shqipërisë, me arsyetimin se kjo do të ndihmonte në funksionimin e një rrjeti të vetëm.