MUP-i serb, grupi më i madh kriminal në veri të Kosovës

Në një raport që është hartuar si dokument konfidencial, MUP-i serb është renditur në krye të listës së gjashtë strukturave kriminale që veprojnë në veri të veri të Kosovës.
Grupet që kryejnë veprime të ndaluara në emër të strukturave ilegale të sigurisë, po vëzhgohen dhe po regjistrohet edhe për veprimet e tyre politike në terren, në mënyrë që me rastin e marrjes së aksionit për kapjen e organizatorëve të tyre, operacioni të jetë sa më i suksesshëm.
Koordinimi, sipas burimeve të “Kosova Sot”, po zhvillohet në bashkëpunim të ngushtë me strukturat e sigurisë së KFOR-it, EULEX-it dhe Policisë së Kosovës.
Sipas një raporti, që e ka në dispozicion gazeta e ku bëhet fjalë për hetimin e deritashëm të veprimtarisë kriminale nga grupacionet e krimit të organizuar në veri të Kosovës, dyshohet se në këtë pjesë të vendit zhvillohen format më të rënda të krimit të organizuar, që mundësojnë edhe financimin e aktiviteteve të individëve nga këto struktura.
Dyshohet se veriu është një nga korridoret kryesore të trafikimit me armë, me drogë, me qenie njerëzore, kontrabandim me rrjete të ndryshime emigrantësh, kontrabandim i të gjitha llojeve të mallrave me vlerë të lartë të akcizës dhe importe apo eksporte në emër të kompanive të rrejshme që nuk janë të regjistruara zyrtarisht as në Kosovë e as në Serbi.
Gjithashtu, në veri grupet e organizuara kriminale merren edhe me kontrabandimin e medikamenteve, bagëtisë, pajisjeve teknike, automjeteve të vjedhura dhe të regjistruara fals.
Si organizatë e dytë është grupimi paraushtarak i emërtuar si Mbrojtje Territoriale dhe organizata e tretë është e ashtuquajtura BIA. Tre grupimet e tjera, që shërbejnë si logjistikë e fuqishme organizative në shërbim të tre organizatave të para, janë Këshilli Nacional Serb, “Rojet e Urës” dhe Kuvendet paralele Komunale.
Të gjitha këto grupime dyshohet se e kanë një qendër të përbashkët koordinimi, për të cilat institucionet vendore dhe ndërkombëtare të inteligjencës së sigurisë janë duke mbledhur informacione të sakta, në mënyrë që fillimi i aksionit të rezultojë edhe me kapjen e liderëve kryesore që drejtojnë secilin organizatë ose grupim ekstremist.