Trojka e zhgënjyer, rritet trysnia mbi Greqinë

Përfaqësuesit e troikës ndërkombëtare, të përbërë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, nga Banka Qendrore Europiane dhe nga Komisioni Europian, janë të pakënaqur me përpjekjet për reforma në Greqi. Është e qartë që plani i kursimeve nuk funksionon deri më tani. Vendi bën dy hapa para dhe një prapa, thanë ndërkombëtarët. Nevojiten reforma shumë më të ashpra, saktësoi Poul Mathias Thomsen si përfaqësues i FMN-së. Grekët besojnë se mjafton të bërit e ligjeve, por kjo nuk mjafton, shtoi ai. Krerët e shteteve dhe të qeverive të eurozonës thonë se pagesa e këstit të ri të ndihmës për Greqinë, varet nga një gjykim pozitiv i troikas ndërkomëbtare. Fjala është para së gjithash për atë, nëse Greqia është në gjendje t`i shlyejë huatë e saj të mëdha. Pa kredi të reja vendi i eurozonës do të ishte prej nëntorit i paaftë për të paguar. Kohë më parë, u bë me dije se Ekonomia në krizë e Greqisë pritet të shënojnë një rënie prej 5% këtë vit, duke rënduar punën e qeverisë që të ulë deficitin buxhetor. Madje, muaj më parë, gjendja e dobët ekonomike shkaktoi edhe ndërprerjen e bisedimeve mes Athinës zyrtare dhe me inspektorët e FMN-së, Bashkimit Evropian dhe Bankës Qendrore Evropiane. Sipas njoftimeve të shtypit grek, shkak i dështimit të bisedimeve ishin mosmarrëveshjet rreth reformave ekonomike që Greqia kishte premtuar. Ndërkohë, statistikat e qeverisë greke tregojnë se të ardhurat nga taksat janë ulur, ndërsa më herët inspektorët e trojkës akuzuan qeverinë se nuk ka vepruar me shpejtësi për të privatizuar pronat shtetërore si dhe është vonuar reforma e ligjeve të pensioneve dhe punës.