MUZIKË – Ishulli i Kukullave frymëzon Burton dhe Lady Gaga për këngën “The Dead Dance”

MEKSIKO SITI, 15 shtator /ATSH-AFP/ – Në Ishullin e Kukullave në Meksiko Siti, qindra lodra plastike të veshura me lecka varen nga pemët, ndërkohë që sytë e tyre prej qelqi ”shohin” vizitorët.
Vendi i konsideruar makabër mund të trembë shumë njerëz, por ai intrigoi regjisorin e filmave, Tim Burton dhe superyllin e pop-it Lady Gaga, të cilët e përdorën ishullin si sfond për video-klipin muzikor që xhiruan së bashku “The Dead Dance”.
Videoklipi për këngën dance-pop e tregon Lady Gaga-n si një nga qindra kukullat në ishull, të vendosura në zemër të kanaleve të lashta Xochimilco të qytetit, një destinacion i njohur turistik.
Vendi u ndërtua nga Julian Santana duke filluar nga viti 1950, duke përdorur kukulla që ai mblodhi ose mori si donacione për më shumë se gjysmë shekulli deri në vdekjen e tij në vitin 2001.
Prodhimi i videos ishte një sekret i ruajtur me kujdes, madje edhe nga Santana, 38 vjeç, i cili mbikëqyr ishullin me vëllezërit e tij Cristian dhe Rogelio.
Më shumë se 60 persona u përfshinë në xhirimet triditore, shtuar këtu edhe 18 varka për të transportuar të gjithë elementët e prodhimit, përfshirë kamerat, mikrofonat, tendat dhe ushqimet.
Ekipet e Burton dhe Gaga-s kishin negociuar që i gjithë ishulli dhe pronat përreth të ishin në shërbim të produksionit.
Ndryshe nga sa besohet gjerësisht, Julian Santana nuk filloi të mblidhte dhe të varte kukulla në ishull për të trembur njerëzit, por sepse ai ndihej i përndjekur nga shpirti i një gruaje të re që ishte mbytur në kanale, atje ku trupi i saj u gjet duke lundruar.
Plaku Santana pretendoi se e kishte parë shpirtin e gruas duke e ndjekur, duke e tmerruar deri në atë pikë sa nuk donte më të kthehej në ishull.
Në mes të kësaj përvoje të vështirë, Julian gjeti një kukull prej pellushi, që lundronte në ujë, dhe e vari në një pemë aty pranë për t’u tharë.
Kjo kukull është ende atje ku e vuri ai, së bashku me 1 500 të tjera që ai mblodhi gjatë jetës së tij, përfshirë edhe më të çmuarën, kukullën Agustinita./ a.jor.