TEL AVIV – Netanyahu nuk përjashton sulme të tjera kundër drejtuesve të Hamasit

TEL AVIV, 15 shtator /ATSH/ – Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu nuk ka përjashtuar sulme të mëtejshme ndaj drejtuesve të Hamasit, pas sulmit të javës së kaluar në Katar, duke thënë se ata nuk do të kenë imunitet kudo që të jenë, sipas BBC.
Duke folur në një konferencë të përbashkët për shtyp me sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio, Netanyahu tha se çdo vend kishte të drejtë “të mbrohej përtej kufijve të tij”.
Vendimi i Izraelit për të synuar udhëheqës të lartë të Hamasit në Katar – një aleat i ngushtë i SHBA-së – shkaktoi zemërim ndërkombëtar dhe kritika nga presidenti i SHBA-së Donald Trump.
Hamasi tha se gjashtë persona u vranë, por udhëheqësit e tij mbijetuan.
Kur u pyet nëse SHBA-të kishin ndonjë përfshirje në sulm, Netanyahu u tha gazetarëve se “ne e bëmë vetë këtë”.
Në përgjigje të një pyetjeje nga BBC nëse sulmi i Izraelit kishte dëmtuar marrëdhëniet e SHBA-së në rajon, Rubio tha se Uashingtoni mbante “marrëdhënie të forta me aleatët e Gjirit”.
Katari strehon një bazë ajrore të madhe amerikane dhe ka luajtur një rol kyç në ndërmjetësimin e përpjekjeve diplomatike për t’i dhënë fund luftës në Gaza, duke shërbyer si ndërmjetës i negociatave indirekte midis Hamasit dhe Izraelit.
Gjithashtu mendohet se janë diskutuar nga Netanyahu dhe Rubio planet ushtarake izraelite për të pushtuar Qytetin e Gazës dhe zgjerimi i vazhdueshëm i vendbanimeve të Izraelit në Bregun Perëndimor të pushtuar.
Takimi i Netanyahut dhe Rubios vjen përpara një sesioni të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së javën e ardhshme, në të cilën disa aleatë kryesorë të SHBA-së – përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Francën, Kanadanë, Australinë dhe Belgjikën – pritet të njohin shtetin e Palestinës./ a.jor.