E Shtunë, 31 Tetor 2026

MUngesa ilacesh ne QSUT

20/04/2011  Shkak zvarritjet e burokracitë me tenderat

Mungesa e barnave është kthyer në një makth për pacientët që trajtohen pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Ndonëse është qendra më e madhe spitalore në vend e nivelit terciar, prej vitesh farmacitë e spitalit vijojnë të raportojnë mungesa të theksuara barnash që nevojiten për trajtimin e pacientëve. Kundrejt kësaj situate të stërzgjatur, pacientëve dhe të afërmve të tyre u mbetet vetëm që t’u drejtohen farmacive të tjera private jashtë spitalit për të marrë barnat, edhe pse kundrejt faturave të kripura. Në të kundërt vënë në rrezik shëndetin e tyre, duke e agravuar edhe më shumë sëmundjen. Gjendja më e rënduar paraqitet të jetë pranë Onkologjikut, ku pacientët që vuajnë nga sëmundjet tumorale duhet të sigurojnë pothuajse të gjitha medikamentet në rrugë private, duke qenë se spitali nuk i disponon.

Barnat që mungojnë

Ndër më problematiket mbetet mungesa e citostatikëve, të domosdoshëm për trajtimin e sëmundjeve. Ndonëse është deklaruar rritja e fondeve për sigurimin e barnave citostatike, situate mbetet ende e rëndë, pasi këtij spitali i mbarojnë medikamentet ndër më të parët. Njëkohësisht edhe pranë shërbimit të urologjisë ndërmjet medikamenteve të shumta munguese ishin edhe holluesit e gjakut, të cilët duhen siguruar në mënyrë private nga pacienti. Me mungesa të theksuara të barnave përballen edhe pacientët që vuajnë nga sëmundjet e zemrës, e veçanërisht ata që u janë nënshtruar ndërhyrjeve kirurgjikale. Trajtimi i tyre pas zhvillimit të operacioneve shoqërohet me një recetë të gjatë barnash, që në të gjitha rastet të afërmit e pacientit detyrohen t’i blejnë jashtë farmacisë së spitalit, pavarësisht se janë të siguruar ose jo. Mungesa e barnave ndihet edhe pranë repartit pediatrik, ku prindërit deklarojnë se duhet të blejnë vetë gjithçka, madje në shumë raste duke filluar edhe nga medikamentet më elementare. Shkak për këto probleme po bëhen vonesat dhe zvarritjet e stërzgjatura në realizimin e tenderëve që mundësojnë sigurimin e barnave nëpër pavijone. Por edhe në rastet kur këto të fundit përfundojnë, farmacitë vetëm për një kohë fare të shkurtër disponojnë barnat për pacientët, e më pas u rikthehen mungesave disamujore deri në realizimin e tenderëve të viteve pasardhëse, duke rikthyer sërish në vëmendje problematikën.

Ngërçi

Për vite të tëra me radhë kjo qendër spitalore raporton të njëjtën situatë problematike të mosfryrjes me barna, duke rënduar mbi xhepat e pacientëve, të cilët krahas sëmundjes duhet të shqetësohen edhe më shumë për sigurimin e barnave që mbartin kosto të papërballueshme financiare. Kështu edhe nëse je pacient i rregullt dhe paguan detyrimet përkatëse në skemën e sigurimeve, blerja e barnave duhet bërë vetëm në mënyrë private, për të mos rrezikuar më tej shëndetin. Pak kohë më parë edhe drejtuesit e qendrës e kanë pohuar problematikën e krijuar, teksa kanë konfirmuar se zgjidhja e tyre mbetet realizimi i tenderëve, mbyllja e të cilëve parashikohet të ndodhë në fund të muajit maj. Por edhe në këtë rast bëhet me dije se do të plotësohen fillimisht vetëm nevojat për shërbimet e paketës bazë dhe barnat për Onkologjikun, duke lënë të nënkuptojnë se mungesa e barnave do të jetë prezente për një kohë të gjatë. Kjo pasi fondi i akorduar për barnat është në sasi shumë të vogla krahasuar me nevojat e pacientëve. Gjithashtu bëhet me dije se në momentet e mbipopullimit të pavijoneve bëhet edhe më e vështirë sigurimi i ilaçeve, duke filluar që nga ato bazike apo edhe ato të shtrenjtat, pasi gjithmonë ka një problem në kuptimin e menaxhimit dhe të plotësimit të nevojave sa më mirë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›