E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kolegji anulon për herë të dytë vendimin e KQZ-së

19/04/2011  Ankesat e Partisë Socialiste

Për herë të dytë brenda tri ditëve Kolegji Zgjedhor ka rrëzuar përsëri vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për siglat e koalicioneve që do të vendosen në fletën e votimit. Kështu, Kolegji Zgjedhor ka pranuar ankesën e PS ndaj vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për heqjen e shenjave nistore të partive të koalicionin “Aleanca për të Ardhmen” në fletën e votimit për kandidat bashkie. Sipas Kolegjit Zgjedhor, tashmë poshtë siglës “AA” dhe në krah të kandidatit për kryetar bashkie Edi Rama duhet të vendosen të gjitha shenjat nistore të partive që marrin pjesë në këtë koalicion. Kolegji ka anuluar gjithashtu vendimin që për këshillin bashkiak të Tiranës në fletën e votimit të vendoset sigla e koalicionit te djathtë “Aleanca për Qytetarin” para asaj të PS-së, “Aleanca për të Ardhmen”. Nga ana tjetër, KQZ-ja në argumentimin e vendimit ka theksuar se përzgjedhja nuk është bërë me qëllim, por është bërë me program kompjuterik, dhe kjo ka ndodhur edhe në zgjedhjet e vitit 2005, 2007 si dhe në zgjedhjet e vitit 2009. Përfaqësuesi i Partisë Socialiste Eno Bushi u shpreh dje pas shpalljes së vendimit të Kolegjit për rrëzimin e vendimit të KQZ-së se vendimi i Kolegjit është vetëm zbatimi i ligjit. “Kolegji ka rrëzuar vendimin e KQZ-së, duke zbatuar ligjin, asgjë më tepër. Vendimet e KQZ-së kanë qenë në shkelje të ligjit. Kolegji nuk ka bërë asgjë, vetëm ka aplikuar ligjin ashtu siç ka qenë”, – theksoi Bushi. Nga ana tjetër ai bëri me dije se pranë Kolegjit Zgjedhor PS-ja ka depozituar edhe një sërë kërkesash të tjera, në ankim të vendimeve të marra nga ana e KQZ-së. “Janë depozituar edhe disa kërkesa të tjera të PS-së në Kolegj, por se sa është numri i saktë i tyre nuk e kam shumë të qartë”, – u shpreh përfaqësuesi i PS-së. Ndërkohë, i pyetur për ndonjë kërkesë të mundshme nga ana e opozitës për shkarkimin e kreut të KQZ-së Arben Ristani, Eno Bushi tha se “ai është një vendim që i takon Partisë Socialiste, unë jam thjesht përfaqësuesi legjitim i saj”. Ndërkohë disa ditë më parë u rrëzua edhe vendimi i KQZ-së për fletën e votimit për kandidat për kryetar të Bashkisë së Tiranës.

Vendimi i së shtunës

Të shtunën e kaluar Kolegji Zgjedhor shqyrtoi kërkesën ankimore të PS-së për modelin e fletës së votimit. Pas shqyrtimit të saj tri ditë më parë, Kolegji vendosi rrëzimin e vendimit të KQZ-së për fletën e votimit për kandidat për kryetar të Bashkisë së Tiranës, pasi sipas tij, ky vendim ishte i pavlefshëm, sepse miratimi i tij kërkonte 5 vota, siç parashikohet në Kodin Zgjedhor dhe jo 4 vota. Sipas vendimit, KQZ-ja miratoi modelin e fletës së votimit, sipas të cilës në krah të emrit të kandidatit për kryetar bashkie në Tiranë, Edi Rama, të mos vendosen inicialet e PS-së, por vetëm inicialet e koalicionit që ai përfaqëson. Ndaj qëndrimit të Kolegjit Zgjedhor reagoi edhe kryetari i KQZ-së Arben Ristani, sipas të cilit PS-ja po përpiqet të prishë procesin e zgjedhjeve të 8 majit.

Anëtari i KQZ-së Hysen Osmanaj:

Vota ime kundër çdo pasoje që vjen nga ky vendim

Vendimi i djeshëm i Kolegjit Zgjedhor për pranimin e ankimimit të PS-së ka shkaktuar pakënaqësi në radhët e anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Madje, zhgënjimi nga vendimi i djeshëm ka shkuar deri aty sa ata kërcënojnë me mosmiratim të çdo vendimi të KQZ-së që do të rrjedhë pas vendimit të Kolegjit. “Nuk do të votoj pro asnjë vendimi që do të pasohet nga ky vendim arbitrar i Kolegjit Zgjedhor. Duket qartazi se ata janë rreshtuar në krah të Partisë Socialiste, duke rrëzuar çdo vendim tonin. Nuk është e mundur që një trupë gjyqësore profesionistësh të pranojë kërkesën politike të hartuar nga joprofesionistë ligjorë, e cila nuk është asgjë më shumë se një ankimim i një vendimi tërësisht të argumentuar nga ana juridike. Vendimi i Kolegjit po cenon rëndë jo vetëm procesin, por po vë në dyshim edhe profesionalizmin tonë si anëtarë të KQZ-së. Dhe kjo është shumë e rrezikshme, duke pasur parasysh se vetëm tri javë na ndajnë nga data e zhvillimit të zgjedhjeve lokale”, - u shpreh dje për “Metropol” anëtari i KQZ-së Hysen Osmanaj, i cili shtoi më tej se “vendimet e KQZ-së janë marrë në përputhje të plotë me Kodin Zgjedhor dhe në zbatim ligjit”.

Dje në KQZ

PS tri kërkesa të reja për fletët e votimit

Vendimi mbi ankimimet e PS-së ka qenë temë diskutimesh në mbledhjen e pasdites së djeshme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Debatet kanë ardhur pas vendimit të Kolegjit Zgjedhor, i cili hodhi poshtë vendimin e KQZ-së për fletët e votimit. Ndërkohë Partia Socialiste nëpërmjet përfaqësuesit të saj Genci Gjonçaj i ka propozuar tri kërkesa të reja KQZ-së në lidhje me fletët e votimit që do të përdoren në procesin zgjedhor të 8 majit.

Kërkesat e PS-së

- PS-ja ka kërkuar që letra të jetë e personalizuar me një simbol, i cili duhet të jetë i dukshëm.

- Fleta e votimit të ketë një shirit sigurie.

- Procesi i prodhimit të fletëve të votimit të monitorohet nga një person i posaçëm.

Me këto kërkesa PS-ja nëpërmjet përfaqësuesit të saj të përhershëm në KQZ Genci Gjonçaj ka theksuar faktin se kërkesat e opozitës rritin besueshmërinë e procesit zgjedhor. Por kërkesat e Partisë Socialiste janë kundërshtuar nga kreu i KQZ-së Arben Ristani, i cili i ka bërë me dije Gjonçajt se fletët prodhohen me printim, kështu që ato nuk mund të kenë shirita të posaçëm sigurie.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›