Kryesojmë pa probleme
Kosova ka marrë kryesimin e CEFTA’s, ndonëse ende nuk dihet modeli i mbajtjes së këtyre takimeve. Vendimin duhet ta marrë Qeveria e Kosovës, e cila ka pranuar kërkesën nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë për caktimin e këtij modeli. Edhe pse Serbia ishte kryesuese në vitin që lamë pas, kjo nuk ka sjellë asnjë problem për mosdorëzimin e kryesimit te përfaqësuesit e Kosovës. Ky kryesim mund të jetë edhe një mundësi për zhbllokimin e eksportit të mallrave në dy shtetet fqinje, të cilat ka dy vjet që u kanë vënë bllokadë produkteve kosovare. Në një intervistë për Express, drejtori i Departamentit të Tregtisë në MTI, Flamur Keqa, thotë se që nga 1 janari i këtij viti, Kosova ka marrë kryesimin e këtij mekanizmi ndërrajonal, i cili do të zgjasë deri në fund të vitit 2011.
Tregon se sipas planit, aktivitetet e kësaj marrëveshjeje fillojnë nga fundi i tremujorit të parë të vitit dhe intensiteti i këtyre takimeve, thotë se do të jenë në 3-mujorin e dytë.
Keqa pranon se në rast të ndonjë problemi për shkak të rrethanave politike, këtë mund ta bëjë edhe Shqipëria.
“Ekzistojnë opsione të ndryshme në rast të ndonjë problemi politik, por nuk besoj se do të jemi peng e ndonjë vendimi të gabuar politik, sepse e vetmja çështje që ka mbetur pezull për momentin është vendimi politik i Qeverisë lidhur me formën e mbajtjes së takimeve në CEFTA’s dhe unë pres që sapo të krijohet Qeveria e re, do të merret një vendim që normalisht nuk cenon aspektin shtetëror të Kosovës”, thotë Keqa.
Kryesimin e kësaj marrëveshjeje për tregti të lirë, para Kosovës e ka pasur Serbia. Por kjo, sipas Keqës, nuk do të krijojë problem për dorëzimin e kryesimit.
“Serbia është pajtuar që është edhe në pajtim edhe me legjislacionin e marrëveshjes që t’ia dorëzojë kryesimin anëtarit tjetër me radhë dhe normalisht Kosova ka bërë zotimin se do ta marrë kryesimin dhe do t’i kryejë aktivitetet dhe angazhimet konform marrëveshjes. Pranimdorëzimi nuk kryhet në atë sistemin klasik sikurse kryhen në institucione të ndryshme. Por është detyrë e atij shteti që e lë kryesimin, të dorëzojë një raport mbi punën njëvjeçare, ndërsa obligim i Kosovës është që të dorëzojë programin e punës përfundimtare deri në fund të janarit, kështu që në këtë drejtim gjithçka është zyrtarizuar”, thotë Keqa. Drejtori i Departamentit të Tregtisë thekson se në këtë rast UNMIK’u, edhe pse është nënshkrues i saj, nuk do të ketë rol në kryesim.
“Në këtë rast me problematikat e zhvillimeve tregtare merren institucionet qeveritare të Kosovës dhe në këtë mendoj se edhe kryesimi do të shkojë në pajtim me këtë parim”, thotë Keqa. Gjatë këtij viti, takimet do të mbahen në Prishtinë dhe Kosova si kryesuese, sipas Keqës, do të kryejë një varg aktivitetesh dhe takimesh. Ai thotë se aktivitetet kryesore do të jenë sa i përket bujqësisë dhe masave sanitare dhe fitosanitare, pastaj çështja e liberalizimit të tregtisë së shërbimeve, pengesat teknike në tregti dhe barrierat jotarifore në tregti.
Drejtori Keqa shpreson se kryesimi do të jetë edhe një adut tjetër që do të ndihmoj në zhbllokimin e eksportit kosovar drejt Serbisë e Bosnjës e Hercegovinës. “Është mundësi që të iniciojmë dhe të bëjmë presion më të madh në këto takime për zhbllokimin e mallrave kosovare nga këto dy shtete fqinje. Kjo është edhe vendim politik, e me këtë duhet të merren edhe instancat më të larta politike të vendit që të gjendet një zgjidhje, që deri më tani e ka dëmtuar ekonominë dhe bizneset kosovare”, thotë Keqa. Kosova është nënshkruese e CEFTA’s që nga viti 2006 dhe sipas Keqës, me këtë marrëveshje më së paku ka përfituar Kosova dhe shkak është bllokada e krijuar prej dy shteteve fqinje.
CEFTA dëmtoi ekonominë
Sipas dy treguesve të qarkullimit tregtar, në vitin 2007 Kosova ka eksportuar 19-20 milionë euro mallra në Serbi, ndërsa më 2009 kjo ka rënë në 3.5 milionë. Ndërkaq, me Bosnjën më 2007 ka qenë një eksport mbi 5 milionë eurosh, përderisa më 2009 kjo ka rënë në 1 milion. Sipas këtyre treguesve, shihet se është dëmtuar ekonomia e Kosovës. Përkundër kësaj, produktet serbe kanë kaluar pa asnjë pengesë në tregun kosovar dhe importi serb ka pasur qarkullim gjithnjë e më të madh.