“Maço” VS “Qejflie”
Jetojmë në një botë të madhe, ku përzihen kultura, objektiva dhe rreze të ndryshme konceptimi. Nuk kemi pse të lodhemi, të ndryshojmë boten; mjafton të ndryshojmë veten, duke u çliruar nga paragjykimet, në mënyrë që të përshtatemi dhe të mos vuajmë. Më kujtohet një thënie e Volterit, “Ne do ta lëmë këtë botë, po aq të marrë dhe gënjeshtare, sa ç’e kemi gjetur kur kemi lindur.” Ajo që mund të bëjmë është përmirësimi i komunikimit, sepse interaktiviteti zë një pjesë të konsiderueshme të jetës sociale; dhe jeta sociale zë kohën tonë. Janë miqtë tanë; janë historitë e tyre; janë thashethemet që bëjmë bashkë; janë pikërisht “djem si ata” dhe “vajza si ato” që bëjnë pjesë në bisedat tona të preferuara; që na shijojnë si një limonatë e freskët. E kemi para syve, kjo është një pjesë realiteti që prekim përditë: Djem me makina të bukura; veshje fashion, vajza figurante, shoqëruese të denja, dhe një këngë e Marko Massini-t “Bella Stronza” sa për sfond (nuk e di pse më erdhën në mendje disa lokale të ish-Blloku). Na pëlqen apo jo, e kemi aty pranë, e shohim, e gjykojmë.
“Djem si ata”
“Djem si ata” janë karizmatikë; në fytyrën e tyre shpaloset hapur suksesi, vetëkënaqësia, dhe tiparet e një kompleksi të vjetër, sipas të cilit seksi shihet si superioritet. Djem të tillë janë pothuajse vetë-tiketuar në rolin e maços. Kjo i bën të duken më interesantë në sytë e të tjerëve, femrat i joshin si të parezistueshëm dhe meshkujt e tjerë e shohin me zili suksesin e tyre.
Por, nëse meshkujt bëhen interesantë, përse femrat njollosen?
Më lart folëm për përmirësimin e komunikimit, dhe një nga hapat është të mos paragjykojmë; të respektojmë zgjedhjet e të tjerëve, jetën e tyre. Por, ne paragjykojmë prap se prapë, të njëjtën dukuri në mënyra të ndryshme. Kur flitet për djem të tillë, gjykimi dhe asosacioni që bëhet nuk është detyrimisht i keq; në të kundërt, kur flitet për një femër të tillë, definitivisht, gjykimi është negativ, përçmues. Kjo ndodh se jemi kaq patriarkal si shoqëri, selektivë në gjykim (thuajse apriori), kaq mendje ngushtë në analizim, ku meshkujt shajnë femrat, por, edhe femrat shajnë femra të tjera dhe duke njollosur llojin.
STOP me përgjithësime
Thjesht duhen sqaruar disa gjëra para se te arrihet në përfundime të shpejta; mendoj se zakonisht ndodh një ngatërrim që shumë shpesh na çon në përgjithësim, dhe gjykim të gabuar. Ka një kategori femrash që bëjnë seksin objekt dhe qëllim të jetës së tyre, duke e manifestuar me veshjen, tualetin e theksuar, me taka rrezikshmërisht të larta, kërkimin e vëmendjes në mënyrë thuajse histerike dhe shikimet e drejtpërdrejta ose ndryshe “ftesat”, dhe ne si popull i zgjuar, themi pastaj atë shprehjen që e kemi dëgjuar të gjithë: “Sikur e ka të shkruar në ballë”. Janë këto femrat që luajnë, veç luajnë dhe nuk bëjnë gjë tjetër, thuajse, janë ato vetë që e kanë vendosur veten e tyre në një pozitë të tillë “diskriminuese”. Ato janë vetë-strerotipizuar në atë rol që duket se e bëjnë mirë dhe kane atë sukses që i kënaq (çështje zgjedhjeje).
Kategoria tjetër janë ato femra qe kanë bërë eksperiencat e tyre, kanë bërë zgjedhje të ndryshme, kanë parë defektet e partnerëve dhe i kanë lënë ata; kanë parë se lidhja nuk funksionoi dhe e kanë mbyllur, kanë konstatuar se nuk janë të kënaqura dhe kanë thënë “stop”; kanë vërejtur defekte që nuk i dinin dhe kanë thënë “mjaft më”. Të gjitha këto flasin për pavarësi dhe integritet seksual. Një femër ka nevojë të bëjë eksperiencat e saj, në kërkim të mashkullit ideal. Njerëzit duhet të njohin njëri-tjetrin në kushte reale, që të shohin nëse lidhja është funksionale, nëse do të këtë të ardhme.
FAKT
Në rastet kur kemi të bëjmë me tradhti, meshkujt ka më shumë gjasa që të falen, kurse femrat mund ta pësojnë edhe me jetën e tyre (nuk janë të pakta rastet në kronika, ku flitet për ekzekutime; motivi, xhelozia )
“Femra”, ngjyra rozë e shoqërisë
Shoqëria njerëzore është e përbërë në mënyrë të tillë që, secili të gjejë veten në një rol të caktuar, duke bërë pjesën e tij në shoqëri. Roli i femrës është parë i lidhur ngushtësisht me familjen, dhe ajo supozohet t’i “përqendrojë” eksperiencat e saj aty. “Pastërtia” e femrës si figurë është një nga elementët që ka ndikuar në fuqizimin e këtij perceptimi. Historikisht, femrat shikohen si më të brishta, dhe rrjedhimisht ato, nëpërmjet një gjykimi apriori “përjashtohen” nga shumë ndodhi me pretekstin që po tentohet të mbrohet integriteti i tyre; pra, nëse një femër ndërron partnerët ajo “përgojohet” sepse njerëzit mendojnë se ajo ka humbur brishtësinë e saj, ajo ka shpalosur hapur tipare egoizmi (dhe jo përulje), ajo ka thyer disa tabu (ajo ka zgjedhur dhe jo e kanë zgjedhur). Pra, femra është parë me mëdyshje për sa i përket aftësisë së saj për të vendosur, dhe si pasojë ajo mendohet se ka gabuar në zgjedhjet e saj. Janë një numër perceptimesh të tilla që e komplikojnë rolin e femrës duke tentuar ta ngushtojnë dhe ngushtojnë rrugën drejt objektivave dhe largpamësisë së saj. Që në momentin që lind një fëmijë, dhe merret vesh seksi i tij, fillojnë “mini paragjykimet”,që ajo, bebushi i vogël me veshje ngjyrë rozë, do të përpiqet gjithë jetën t’i ndryshojë, sepse problemi i vërtetë është një mentalitet i ngurtësuar.
----------------------
Marrë nga revista G
Autorja e shkrimit është specialiste e shkencave social-psikologjike
14 Gusht 2009