E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tre zyrtarët e Policisë që firmosën planin për arrestimin e Dajtit

Fatos Xhani, Arian Muça dhe Ahmet Prençi firmosën planin me katër faqe. Polici i vrarë, Fatos Xhani, ishte në dijeni të plotë të vendndodhjes dhe lëvizjeve të Dajtit

Habjon Hasani
Një dokument prej katër faqesh i firmosur nga Fatos Xhani, Arian Muça dhe Ahmet Prençi ka qenë dokumenti zyrtar që i ka dhënë dritën jeshile nisjes së operacionit për arrestimin e të superkërkuarit Dritan Dajti, operacion që rezultoi i dështuar ndërsa katër policë humbën jetën, mes të cilëve dhe vetë Xhani, firmosës i urdhrit operacional. Në dokumentin e nënshkruar prej tre zyrtarëve, arsyet e arrestimit i janë referuar vetëm vendimit gjyqësor që bënte përgjegjës Dajtin për vrasjen e biznesmenit Agim Beqja në vitin 1999, si dhe vendimit gjyqësor që e shpallte atë në kërkim pas arratisjes spektakolare më 17 nëntor të vitit 2003. Dokumenti i planit operacional prej katër faqesh, në gjysmën e tij bën përshkrimin e të dhënave të siguruara mbi lëvizjet e fundit të Dajtit rreth një javë para ditës së tragjedisë së 7 gushtit.
Operacioni
Drejtues në terren i operacionit për kapjen e Dritan Dajtit ka qenë drejtori i Drejtorisë Kundër Krimit të Organizuar, Arian Muça, ndërsa numri 2 më i rëndësishëm i zbatimit të operacionit ka qenë polici i vrarë, Fatos Xhani. Operacioni për arrestimin e Dajtit është ideuar në organizimin e dy grupeve policore me nga 4 veta. Grupi i parë, i drejtuar nga Fatos Xhani, do të bënte mësymjen e parë drejt të kërkuarit, ndërsa grupi i dytë do të mbikëqyrte operacionin në gjendje gatishmërie për të ndërhyrë porsa të shihej e nevojshme. Drejtues i të dyja grupeve në terren ka qenë pikërisht kreu i Drejtorisë Kundër Krimit të Organizuar, Arian Muçaj. Burime pranë grupit të hetuesve në Prokurori, të cilët po ndjekin hetimet mbi ngjarjen e rëndë të 7 gushtit, kanë konfirmuar të dhënat e planit operacional, i cili u zbatua për arrestimin e personit më të kërkuar në Shqipëri. Prokuroria e Krimeve të Rënda është duke “gërmuar” në të gjitha të dhënat e deritanishme lidhur me aktivitetin e Dritan Dajtit. “Deri tani ne jemi fokusuar në hetimin e asaj që ndodhi më 7 gusht në Durrës, por nisur nga provat e sekuestruara dhe të dhëna të tjera jemi duke hetuar edhe në lidhje me aktivitete të tjera të Dritan Dajtit. Deri tani mund t’ju konfirmoj se Dritan Dajti është arrestuar në zbatim të vendimit të gjykatës që e ka shpallur fajtor për vrasjen e biznesmenit, si dhe për ngjarjen e 7 gushtit. Nëse gjatë hetimeve ne do të mundësojmë sigurimin e provave për të tjera aktivitete ilegale të Dritan Dajtit, do t’i paraqesim në gjykatë dhe do të zbatojmë procedurat përkatëse”, - konfirmoi dje një burim shumë pranë grupit të prokurorëve që po hetojnë mbi çështjen.
Dajti
Në lidhje me numrat e zyrtarëve të Policisë që janë gjendur në telefonin e Dritan Dajtit, burime pranë grupit të prokurorëve nuk kanë dashur të prononcohen duke u shprehur se për shkak të konspiracionit hetimor ata nuk janë të autorizuar të ofrojnë të dhëna në lidhje me këto fakte, duke shtuar se për çdo element të dyshimtë që do të dalë përgjatë hetimeve, ata do të kryejnë verifikimet ligjore dhe do të veprojnë në bazë të ligjit nëse do të mblidhen provat e nevojshme që vërtetojnë implikimin e zyrtarëve policorë në mbështetjen e të kërkuarit gjatë periudhës së arratisë.

Dajti, mister lëvizjet e të kërkuarit në muajt e fundit

Prokuroria e Krimeve të Rënda nuk ka mundur të konfirmojë ndonjë gjë lidhur me interesimin e gazetës për itinerarin që Dajti ka ndjekur në muajt e fundit. Burime pranë grupit të prokurorëve që hetojnë çështjen janë shprehur se informacioni më i fundit që ata kanë lidhur me aktivitetin e Dajtit ishte pikërisht informacioni i ofruar në katërfaqëshin e firmosur nga tre zyrtarët që kishin evidentuar faktin se Dritan Dajti prej disa ditësh strehohej pranë pistës “Iliria” në Durrës. “Këto janë të dhënat që ne kemi, kryesisht të dhënat e siguruara nga plani operacional që mban firmën e tre zyrtarëve të lartë të Policisë. Në lidhje me interesimin tuaj nëse Dritan Dajti ka lëvizur apo jo jashtë vendit, mund t’ju konfirmojmë se grupi i hetuesve nuk disponon ende asnjë evidencë apo provë që të hedhë dritë mbi një gjë të tillë deri në këto momente. Duhet të keni parasysh se deviza e Prokurorisë është se ‘nuk ka rëndësi se çfarë dimë ne, rëndësi ka se çfarë mund të provojmë nga ato që dimë’, dhe në këtë kontekst nuk mund t’ju konfirmojmë asnjë gjë lidhur me itineraret e Dritan Dajtit gjatë muajve të fundit të arratisë”, - deklaroi dje burimi pranë grupit hetimor. Nga ana tjetër, burimet policore kanë raportuar në vitet e fundit disa tentativa të dështuara për arrestimin e Dajtit. Sipas këtyre burimeve, dyshohet se në muajin mars të vitit 2005 Dajti ka arritur të thyejë një postbllok të Policisë Rrugore të Durrësit. Dajti dyshohet se ka qenë në një makinë me targa të huaja duke udhëtuar në autostradë. Në moment policia e ka ndaluar. Me syze të errëta dhe me një veshje të firmës, i shumëkërkuari fillimisht është treguar i "edukuar". Ka ndaluar. Më pas, kur është njohur nga polici i qarkullimit, ka përdorur metodën e vet të kalimit. Dajti i ka drejtuar pistoletën policit duke i thënë: "Mos e hap gojën, se ndryshe t’i hodha trutë në erë". Pas këtij veprimi, i dënuari me 20 vjet burg është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Përpara këtij episodi dyshohet se Dajti i shpëtoi një tjetër rrethimi policor që vuri në pranga katër shokë të tij. Në një aksion të forcave “RENEA” te ish-ekspozita “Shqipëria sot”, mes pallateve të kësaj lagjeje, forcat “RENEA” ndërhynë duke ndalur në befasi një automjet të dyshimtë. Tre nga personat që ndodheshin në autoveturën me targa të huaja AT 347 XV kanë mundur të largohen me shpejtësi, ndërsa policia i ka ndaluar. Vetëm njëri prej të arratisurve është vënë në pranga, ndërsa dy të tjerët nuk u kapën. Gjatë ndjekjes agjentët e policisë kanë arritur të identifikojnë njërin prej të arratisurve, që ishte Dritan Dajti.

15 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›