E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reforma e MSH-së, si do të ndryshojnë shërbimet në spitalet rajonale



Emanuela Sako

Pacientët nuk do ta kenë më të nevojshme që për problemet më të vogla shëndetësore të dynden në spitalet e kryeqytetit. Reforma shëndetësore që do të bëhet në sistemin shëndetësor do të ketë disa përfitime të rëndësishme për pacientët, nëse gjithçka do të realizohet ashtu siç është parashikuar nga ky institucion. Hapi i parë i MSH-së dhe ISKSH-së në Shtrirjen e skemës së sigurimeve shëndetësore do të mundësojë njëjtësimin e disa shërbimeve kryesore në spitalet e nivelit terciar në rrethe. Çka do të thotë që do të shtohen më tepër shërbime, që aktualisht janë prezentë në spitale por nuk kryhen. Njëkohësisht, nëpërmjet të vetëfinancimit spitalet do të kenë më shumë mundësi investimi në ata sektorë dhe në ato aparatura që janë më tepër problematike. Nga ana tjetër edhe mjekët do të jenë më të stimuluar të punojnë, pasi do të marrin dy rroga shpërblim gjatë një viti, në bazë të punës së kryer. Në të kundërt, të gjitha këto përfitime nuk do të mund të arrihen.
Situata
Situata aktuale në spitalet e vendit është alarmante përsa u përket kushteve dhe shërbimeve që ofrojnë, por me shtrirjen e skemës pritet përmirësimi i gjendjes. Nëse Ministria realizon gjithë parashikimet në reformë, atëherë pacientët nuk do ta ndiejnë më të nevojshme që të vijnë nga rrethet drejt Tiranës.
E rëndësishme është futja e skemës së sigurimeve, ku mjaft shërbime do të rimbursohen nga ISKSH-ja. Kjo do të lehtësonte disi xhepat e pensionistëve apo personave të tjerë në nevojë, por që paguajnë sigurime shëndetësore. Njëkohësisht, mënyra e vetëfinancimi nga drejtoritë e spitaleve, do të vërë para përgjegjësisë drejtoritë e spitaleve për keqmenaxhim në rastet e mungesave të theksuara. Të gjitha të ardhurat vjetore, drejtoritë kanë të drejtë t’i menaxhojnë atje ku është më tepër domosdoshme. Mjekët, do të vendosen në kontroll të rreptë ditor, ku në bazë të reformës ata duhet të plotësojnë një formular ditor me vizitat, mjekimet, faturat dhe gjithë punën e kryer gjatë një dite.
Përfitimet e pacientëve nga shtrirja e skemës së sigurimeve shëndetësore
Përfitimet
Shtrirja e skemës së sigurimeve shëndetësore do të shërbejë për rritjen e nivelit të kujdesit shëndetësor në të gjitha spitalet e vendit, nga e cila do të përfitojnë edhe pacientët. Pacientët do të marrin shërbim më cilësor dhe do të kenë mundësin të përfitojnë më tepër shërbime falas. Bëhet fjalë për ata pacientë që janë të siguruar. Shtrirja e skemës dhe autonomia e spitaleve presupozohet të sjellë më tepër të ardhura për qendrat spitalore, ku mendohet se nuk do të mungojnë përkushtimi i mjekëve dhe pajisjet për kryerjen e vizitave. Skema e re e sigurimeve shëndetësore u bë e njohur pak kohë më parë nga drejtoresha e ISKSH-së, Elvana Hana, e cila deklaroi se ISKSH-ja do të lidhë kontrata me 42 spitalet e vendit dhe më pas do të jetë drejtuesi i spitalit ai që do të lidhë kontratë me stafin. Nëpërmjet kontratave që do të lidhen me sigurimin shëndetësor do të kërkohet me këmbëngulje disiplinë administrative, disiplinë financiare dhe disiplinë profesionale për të siguruar eficencën e shërbimeve shëndetësore. Ministria e Financave ka rënë dakord që të ardhurat dytësore do të përdoren nga vetë spitalet, çka përbën një pikë themelore për funksionimin e skemës së sigurimeve shëndetësore. Tashmë drejtoritë e spitaleve kanë të drejtë t’i shpërndajnë vetë të ardhurat dytësore, sipas problematikës që hasin në spital. Kështu, një pjesë e problemeve në spitale do të mbulohen nga fondet e përcaktuara nga Ministria e Shëndetësisë, ndërsa disa të tjera do të zgjidhen nëpërmjet të ardhurave dytësore. Specialistët u shprehën se reformat do të aplikohen gradualisht, sipas rëndësisë së problematikës.

Ndryshimet që do të pësojë situata në spitalet rajonalë të vendit
Situata e vështirë në të gjitha spitalet e vendit tashmë është pranuar nga të gjitha autoritetet shëndetësore. Njëkohësisht dhe mungesa e specialistëve në disa zona, mungesa e ambienteve, aparaturave etj, do të sheshohen duke vendosur një standard të përbashkët në të gjitha spitalet. Kjo nënkupton që ai shërbim që do të qëndrojë i hapur në një nga spitalet e vendit, do të jetë brenda standardeve. Në këtë rast presupozohet që edhe në zonat e thella spitalet të kenë aq specialistë sa ç’është e mundur, por spitali do të jetë i pajisur me medikamentet dhe aparaturat e domosdoshme për të kryer diagnostikimin e pacientëve. Ndërsa për shërbimet që nuk ofrohen, pacientët janë të detyruar të shkojnë në spitalin më të afërt me rrethin e tyre. Sipas MSH-së, të gjitha këtyre praktikave dhe kontradiktave synohet t’u jepet fund këtë vit, me reformën e nisur për përfshirjen e 42 spitaleve në skemën e Sigurimeve Shëndetësore. Reforma synon rritjen e cilësisë së shërbimit në spitale, shtimin e pajisjeve mjekësore, shtimin e barnave etj.

Ministria, standarde të reja për mbrojtjen e të drejtave të pacientit
Në shumicën e rasteve pacientëve u mohohen të drejtat e tyre, për të cilat lind nevoja e rishikimit të të drejtave ligjore.
Qendra Kombëtare e Standardeve, Cilësisë dhe Akreditimit të Institucioneve Shëndetësore (QKSCA-ISH), për herë të parë ka kryer një studim për matjen e të drejtave të pacientëve, si një standard i domosdoshëm i kujdesit shëndetësor. Sipas Qendrës, të drejtat e pacientëve përbëjnë një nga fushat më të neglizhuara, pasi asnjëherë nuk është kërkuar që të zbatohen, ndaj dhe nuk mungon sistemi i matjes së tyre në raport me sistemin shëndetësor. Në studimin e kryer nga kjo qendër në disa spitale të vendit është vërtetuar se standardi i derisotëm i të drejtave të pacientëve, hartuar nga një grup specialistësh të huaj dhe miratuar nga Ministria e Shëndetësisë, ka mbetur larg nivelit të kërkuar. Në publikimin "Euro Health Consumer Indeks 2008", 31 vende të Europës janë radhitur sipas performancës së arritur në 20 indikatorë, me një numër total pikësh të vlerësimit të pritshëm të mundshëm deri në 1000. Në krye të vendeve të para më të suksesshme me mbi 800 pikë radhiten Holanda, Danimarka dhe Austria. Prioritetet në Shqipëri për të drejtat e pacientëve dhe qytetarëve në fushën e shëndetësisë, lidhen me krijimin e legjislacionit, të mekanizmave rregullatorë si dhe me një kulturë të re të përgjegjësisë për gjithçka që bëhet, ose jo, e cila do të kanalizojë veprimin dhe zbatimin jo me fushata, por në vazhdimësi.

14 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›