Macron: Shpresoj që dialogu Kosovë-Serbi të rinisë javët e ardhshme

Presidenti francez Emmanuel Macron iu përgjigj nga Tirana kritikave të presidentes së Kosovës Vjosa Osmani se besueshmëria e Bashkimit Evropian po dëmtohet, ndërsa paralajmëroi se shpreson që dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit të rinisë javët e ardhshme.
“Udhërrfyesi është i qartë kemi kaluar shumë kohë me dialogun Kosovë- Serbi. BE-ja ka legjitimitetin të kërkojë të ketë avancime konkrete në çështjet politike. Uroj që javët e ardhshme të fillojmë dialogun me Prishtinën dhe Beogradin, pasi secili vend është përballur me vështirësi politike e sociale, për të mundur të arrihet avancim, pasi është e rëndësishme për të gjithë rajonin. Nuk është ide e mirë kur mundohemi të përçajmë linjat, apo tentojmë të vëmë në dyshim procesin”, tha Macron.
Një ditë më parë, presidentja Vjosa Osmani i bëri thirrje Bashkimit Evropian që të heqë masat ndëshkuese ndaj Kosovës para vijimit të dialogut me Serbinë. Nga Tirana, ku mori pjesë në samitin e Komunitetit Politik Evropian, Osmani tha se vendi i saj po përballet me një bllokadë totale nga ana e BE-së.
“Për fat të keq po jepet një mesazh shumë i keq për rajonin tonë. Më shumë po iu hapet dera atyre që shkojnë në Moskë te Putini sesa për ne që nuk shohim rrugë dhe alternativë tjetër veç BE-së”- u shpreh presidentja e Kosovës.
Së fundmi BE kritikoi sërish Kosov, pasi të premten Policia mori kontrollin e një ndërtesë që përdorej nga Shërbimi Kombëtar për Punësim, që funksionte sipas sistemit të Serbisë. “Akte të tilla rrezikojnë përshkallëzimin e tensioneve dhe dëmtojnë imazhin e Kosovës në botë” – u shpreh Brukseli në një deklaratë.
Gazetare: Vjollca Zharri
/rtsh.al/