Made in Albania
Motorin atij ia ka vjedhur një pulian dhe pastaj e ka sjellë në Shqipëri. Ai vjen këtu për të kërkuar motorin... Niset me paragjykime, për të zbuluar një tjetër botë... Kështu tregohet Shqipëria e sotme, me sytë e dy të rinjve shqiptarë, të cilët italiani i takon në Shqipëri.
Ndryshe, regjisorja Casini është emër i njohur për Shqipërinë, sepse punën në këtë film ajo muaj më parë ia rrëfeu ‘Gazetës Shqiptare’. Filmi i saj shfaq Shqipërinë e sotme, 21 vjet pas rënies së regjimit totalitar, përmes syve të tre 20-vjeçarëve. Dokumentari është ndërtuar si një film që ndjek rrugën e tre protagonistëve, në udhëtimet e tyre të vetmuara dhe takimet me persona tejet të veçantë.
Takimet janë shumë të ngushta, të tipit emocional, që të bëjnë të zbulosh pjesë të reja të shtetit shqiptar. Vende si Kombinati, ish-kompleksi i vjetër i tekstilit - që është shndërruar në vend për t'u zaptuar nga njerëzit që vijnë në Tiranë nga veriu i vendit, në kërkim të punës - të bëjnë të zbulosh realitetin rural të një bukurie prekëse, si ajo e qyteteve minerale të braktisura, apo edhe malet e larta ku thyhet shpina për të kërkuar krom. Herë pas here ndërfuten histori të së kaluarës, e më tej jepet kontrasti i një kombi, që në 20 vjet ka kaluar nga mbyllja e plotë në lirinë e internetit. Mbase ky është një kalim tepër i shpejtë për një vend ende në tranzicion.
Në kërkim të motorit
Personazhi kryesor është Vito, i cili niset nga Salento drejt Shqipërisë, i bindur që atje do ta gjejë motorin që ia vodhën. Natyrisht, vizioni i tij për Shqipërinë është stereotipi klasik: një tokë kufitare, ku shkojnë veturat dhe motoçikletat e vjedhura. Në udhëtim ai do të prekë një realitet ndryshe dhe të papritur.
Një tjetër personazh është Rubini, i cili dikur ishte pjesë e Lëvizjes rinore Mjaft, i inkurajuar nga ndryshimi i kryebashkiakut të atëhershëm Edi Rama për të protestuar kundër korrupsionit, duke ushtruar në këtë mënyrë demokracinë politike. Sot, i zhgënjyer nga politika, merret me muzikë dhe me disa miq ka hapur qendrën kulturore Tirana Express. Kjo është bërë shumë shpejt një pikë referimi e të rinjve aktivë të Tiranës. Bora është një vajzë e re që ka studiuar jashtë vendit, dhe është kthyer në Shqipëri për pushim. Edhe ajo, si Rubini, dikur ishte pjesë e Mjaft’it.
Takimi i personelit të filmit me të ishte vendimtar për të kuptuar se, në fakt, ajo ishte e përkryer për dokumentarin, meqë edhe vetë Bora është fryt i kontrasteve shpirtërore të këtij vendi. Bora takon Viton, në sajë të mikut të saj Rubinit, dhe përpiqet ta ndihmojë për të gjetur motoçikletën. Më vonë e këshillon Viton që, nëse vërtetë është i interesuar ta kuptojë Shqipërinë, udhëtimin ta vazhdojë vetë.
Vito e Bora nisen drejt jugut të Shqipërisë, për të takuar miq si Luani - skafisti i vjetër që tregon se si ishin gjërat në kohën e trafikimit të klandestinëve nga Vlora. Takimi me prindërit e tij shfaq një tjetër Shqipëri: sensin e fortë të familjes, traditat dhe dëshirën për të ndërtuar një shtet të ri. Vito hyn si një meteor në jetën e tyre dhe krijon takimin e tri personazheve që na japin vizionin për këtë vend.
Në vazhdim, Vito niset drejt veriut, në ndjekje të gjurmëve të motorit të tij, ndërsa Bora shkon drejt Shkodrës, për të parë edhe njëherë shtëpinë e fëmijërisë, ku ajo jetonte me gjyshërit. Dokumentari kështu dërgohet në një zonë rurale. Nga ana tjetër, Rubini kthehet në jug për të gjetur prindërit.
Gjuha e filmit i shkon shumë për shtati dokumentarit. Secili karakter që shfaqet në film tregon të vërtetën e tij, një pjesë të këtij vendi kaq afër e kaq të panjohur. Sipas fqinjëve, në portretin e Shqipërisë gjendet shumëçka italiane, si mikpritja e madhe e naiviteti. Ndokujt, Shqipëria e sotme ende ia kujton Italinë e viteve të 60’ta.
BW