E Shtunë, 31 Tetor 2026

Madhështi

Edmond Tupja 

E kam fjalën për madhësh
    tinë e sistemit privat në Arsimin tonë të Lartë: sigurisht që hapja, shumimi dhe lulëzimi i shkëlqyer i këtij sistemi janë prova më e pakundërshtueshme që liria, sipërmarrja e lirë dhe konkurrenca deri diku e ndershme janë bërë realitet edhe në fushën e dijes dhe të kërkimit shkencor në Shqipëri. Unë nuk e di me saktësi rreptësisht objektive se sa universitete private funksionojnë në Tiranë, por di që emrat e disa syresh më bëjnë vërtet të mrekullohem në të gjitha përmasat e shpirtit tim entuziast prej arsimdashësi të pandreqshëm, të pashërueshëm. Më konkretisht: Sa herë më bie udha e mbarë nga Universiteti Mesdhetar i Tiranës, mua, ballkanasit mesdhetar denbabaden, më duket vetja banor i Mesit të Dheut, pra i Detit të Brendshëm që, prej shekujsh, lidh tri kontinente: Europën, Afrikën dhe Azinë. E ndiej që së shpejti ky universitet do të rrezatojë fuqishëm në tërë pellgun e Mesdheut duke ngjallur pashmangësisht admirim në tërë universitetet e qyteteve bregdetare të rajonit tonë.
Sa herë më bie udha e mbarë nga Universiteti Europian i Tiranës, mua, ballkanasit mesdhetar europian denbabaden, më përforcohet bindja se jam europian 24 karat, rrjedhimisht i denjë të sfidoj me identitetin e praninë time euroshqiptare gjithë individët e kontinenteve të tjera. E ndiej që së shpejti ky universitet do të rrezatojë fuqishëm në tërë Kontinentin e Vjetër për të ripërtërirë universitete të tilla të lashta, pra, të stërplakura, si ato të Francës, Britanisë së Madhe, Italisë, Gjermanisë, Holandës, Spanjës, Çekisë, Rusisë etj., etj.
Sa herë më bie udha e mbarë nga Universiteti Amerikan i Tiranës, mua, ballkanasit mesdhetar europian euro-atlantikas denbabaden, që ka pasur fatin ta kapërcejë (jo me gomone) oqeanin Atlantik, më pushton lumturia se atdheu im është, edhe në lëmin universitar, në të njëjtën valë dhe lartësi me universitetet e SHBA, madje po i lë ato me gojë gjysmë të hapur. E ndiej që së shpejti ky universitet do të rrezatojë fuqishëm edhe në Kontinentin e Ri duke u bërë shembull i padiskutueshëm për tërë universitetet e atjeshme që tashmë janë duke i kthyer sytë drejt tij.
Sa herë më bie udha e mbarë nga Universiteti Ndërkombëtar i Tiranës, mua, ballkanasit mesdhetar europian euro-altlantikas internacionalist e kozmopolit denbabaden, që prej vitesh, thërras me gjithë shpirt e mushkëri “Universitarë të të gjitha vendeve, bashkohuni se nderin e keni ndërkombëtar!”, më lulëzon në zemër e në organet e tjera pa asnjë diskriminim mirënjohja e thellë për globalizimin rrafshnivelues që do të na brumosë të gjithëve sipas një modeli të vetëm, klonik, por të përsosur. E ndiej që së shpejti ky universitet do të rrezatojë fuqishëm në arenën ndërkombëtare për të dhënë modestisht ndihmesën e vet të vyer në formimin e elitave të të gjitha kombeve pa përjashtim.
Sa herë më bie udha e mbarë nga Universiteti Planetar i Tiranës, mua, ballkanasit mesdhetar europian euro-altlantikas internacionalist kozmopolit e rruzullor denbabaden, që planetin Tokë e kam shenjtëruar si Tempull të Jetës, të paktën në sistemin tonë diellor, më gufmojnë zemra e trupi nga krenaria planetare që pulson madhërishëm në vetëdijen e bashkëkombësve të mi të nderuar, të cilët kanë marrë, pra, përsipër e përposhtë që ky universitet të rrezatojë fuqishëm në shkallë planetare aq sa edhe shkëlqimi i diellit, me shumë gjasa, do të zbehet për disa dekada.
Fatkeqësisht, kjo plejadë universitetesh të nderuara private të një game të paparë (Mesdhetar-Europian-Amerikan-Ndërkombëtar-Planetar!), ende nuk po i kapërcen kufijtë e rruzullit tokësor, d.m.th. nuk shtrihet përtej sistemit tonë diellor, në sisteme të tjera të Galaktikës sonë. Rrjedhimisht, një merak kombëtar e nacionalist më bren e më streson: Ç’duhet bërë që sistemi privat i Arsimit të Lartë shqiptar të marrë një përmasë kozmike duke u shtrirë e zhvilluar edhe në hapësirën ndëryjore? Pikërisht këtë pyetje po ia drejtoja mbrëmë vetes tek më ra udha e mbarë andej nga kreu i shëtitores “Zogu i Parë” dhe befas – o mrekulli! – e gjeta përgjigjen e pyetjes sime bash në çastin kur vështrimi i etur për madhështi universitare ndërplanetare më ngeci aq bukur te një emër dritëplotë: “UFO University”. Eureka! Bingo! – mend klitha i lumturuar – Po, vetëm ky universitet, me prestigjin e tij, do ta lidhë Tiranën me Galaktikën tonë, sepse si një ufo e vërtetë do të rrezatojë fuqishëm drejt yjësish e yjënajash të panumërta për t’i bërë universitetet e atjeshme me dije se tashmë ka nisur një epokë e re për Tiranën universitetet private të së cilës brenda pak kohe do të bëhen universalisht të njohura duke i siguruar asaj statusin e Qendrës së Vetme të Gjithësisë në Fushën e Dijes dhe të Kërkimit Shkencor!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›