E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bode, letër ministrave: Hiqni shoferët

 

Ministri i Financave, Ridvan Bode u kërkon institucioneve shtetërore të heqin shoferët, pas hyrjes në fuqi të ligjit për automjetet e funksionarëve të lartë dhe nëpunësve civilë. Nëpërmjet një letre, e cila mban datën 26 tetor 2009, drejtuar të gjitha ministrive, institucioneve të pavarura dhe institucioneve të varësisë nëpër rrethe, kreu i Financave kërkon informacion për numrin e makinave dhe të shoferëve që do të ketë secili dikaster në përputhje me përkufizimet e ligjit të dekretuar pak ditë më parë nga Presidenti Topi.
Letra
“Ministria e Financës do të iniciojë projektvendimin përkatës për numrin e automjeteve në dispozicion të aparatit të ministrive apo administratës së institucioneve të pavarura dhe kushtetuese si dhe numrin e automjeteve në dispozicion të institucioneve në varësi të tyre. Gjithashtu, pjesë e këtij projektvendimi do të jetë edhe lista e funksionarëve, të cilët në përputhje me veprimtarinë e tyre kanë të drejtën e një përfitimi financiar i cili nuk është parashikuar në projektligjin e sipërcituar”, thuhet në letrën e ministrit Bode drejtuar institucioneve shtetërore. Për këtë qëllim ai u ka kërkuar këtyre dikastereve informacion mbi numrin e automjeteve të domosdoshme për veprimtarinë funksionale të aparatit të ministrive apo administratës së institucioneve të pavarura, me argumentet përkatëse. Gjithashtu, Ministria e Financave ka kërkuar informacion për numrin e automjeteve të varësisë në rrethe dhe shoferëve, të cilët do të punësohen mbi bazën e ligjit të ri. “Kërkohet informacion i nevojshëm mbi emërtesat e funksionarëve të nivelit drejtor i përgjithshëm/ titullar i institucionit qendror apo rajonal në varësi të ministrive/institucioneve të pavarura, të cilat nuk janë përfshirë në listën e funksionarëve që parashikon projektligji për të përfituar masë të caktuar shpërblimi financiar por që në përputhje me veprimtarinë e tyre kanë të drejtën e këtij përfitimi”, thuhet më tej në këtë letër. Njëkohësisht Ministria e financave ka kërkuar informacion edhe për numrin e funksionarëve përfitues si dhe masën e përfitimit financiar. Sipas Bodes, informacioni nga ministritë për makinat dhe shoferët duhet të jepej brenda 30 tetorit, me një afat katër ditor nga momenti që u është dërguar letra, ndërsa institucionet në rrethe informacioni duhet të vijë brenda 10 nëntorit. Qeveria miratoi pak kohë më parë projektligjin e propozuar nga ministri Bode: “Për rregullimin e shërbimit të transportit për funksionarët e lartë dhe nëpunësit civilë”. Në bazë të këtij ligji vetëm krerët më të lartë të shtetit (Presidenti, Kryetarja e Kuvendit, Kryeministri, ministrat, krerët e institucioneve kushtetuese) do të kenë makinë dhe shofer, ndërkohë që kategoritë e tjera të zyrtarëve të lartë, përfshi këtu zv/ministrat dhe deputetët, do të trajtohen me bonuse.

tabela e zyrtareve qe u hiqen shoferet

Posti                            bonusi (lekë/në muaj)
1. Deputet                            45.000
2. kryetar i Bashkisë Qendër Qarku                45.000
3. Kryetar i Autoritetit Mbikëqyrës F.                35.000
4. Kryetar i Komisionit të Konkurrencës                35.000
5. Kryetar i Kom. Mbrojtjes të dhënave personale             35.000
6. Kryetar i KSHC                        35.000
7. Kryetar i KKRT                        35.000
8. Kryetar i ERT                            35.000
9. Kryetar i ERE                            35.000
10. Kryetar i Entit Rreg. Ujërave të ndotura             35.000
11. Kryetar i ILDKP                        35.000
12. Kryetar i KQZ                        35.000
13. Kryetar i Akademisë së Shkencave                35.000
14. Rektorët e Universiteteve                    35.000
15. Zv.kryetar i KLD                        35.000
16. Kryetar i Këshillit të Qarkut                    35.000
17. Gjyqtarët e Gjykatës së Lartë dhe Gjyk. Kushtetuese         35.000
18. Kryetar i Gjykatës së Shkallës I, Apelit, Krimet e Rënda     35.000
19. Drejtues i Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës I,
Apelit, Krimeve të rënda                        35.000
20. Kryetar Bashkie                        30.000
21. Avokat i Prokurimeve Publike                30.000
22. Avokati i Shtetit                        30.000
23. Dekan i universiteteve                     20.000
24. Sekretar i përgjithshëm dhe drejtorët e kabinetit të ministrit 15.000

Funksionet që përfitojnë bonos
Posti                            bonusi (lekë/ në muaj)
1. Zv.ministër                            35.000
2. Sekretar i përgjithshëm në Presidencë/ Parlament/ Kryeministri     35.000
3. Drejtor i Kabinetit në Presidencë/ Parlament/ Kryeministri     35.000
4. Këshilltarët në Presidencë/ Parlament/ Kryeministri         35.000
5. Gjeneral lejtnant dhe gjeneral major                 20.000
6. Komandant i FA tokësore, detare, ajrore             20.000
7. Drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve                20.000
8. Komandant Garde                        35.000
9. Titullar i ZRRPP                        35.000
10. Kryetar i AKKP                        20.000
11. Kryetar i Komitetit Shtetëror të Kulteve             20.000
12. Drejtor i Përgjithshëm i Doganave                20.000
13. Drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve                 35.000
14. Titullar i zyrës qendrore të ALUIZNI                20.000
15. Gjeneral Brigade                        15.000
16. Prefekt                            15.000
17. Drejtor i Përgjithshëm i Emergjencave Civile             15.000
18. Drejtues i Policisë së Qarkut                    15.000
19. Drejtues i SHISH i Qarkut                    15.000
20. Drejtor i Përgjithshëm i ISSH                    15.000
21. Drejtor i Përgjithshëm i ISKSH                15.000
22. Drejtor i Përgjithshëm i Rrugëve                15.000
23. Drejtor i Përgjithshëm i Pyjeve                 15.000
24. Drejtor i Ujësjellësit                        15.000
25. N/kryetar i Akademisë së Shkencave                 20.000

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›