Madhështore dhe absolute
Shndërrimi i garës për audiencë televizive në një luftë spotesh publicitare me tekste të fryra dhe të pajustifikuara. Ezeli, Forca e fatit, Triumfi i dashurisë… Në mungesë të programeve origjinale, ekranet shqiptare hahen me premierat absolute të … telenovelave
Nga Alida Cenaj*
Ezel, seriali turk më i ndjekur i momentit në të gjithë botën, premierë ekskluzive vetëm në Klan. Tani dy seri të reja, ekstra, çdo të shtunë, premierë absolute, ora 20.55. Plot 120 minuta me fenomenin që po thyen të gjitha rekordet edhe në Shqipëri. Ezel një prodhim madhështor me aktorët më të mirë turq, fitues i dhjetra çmimeve ndërkombëtare. Takimi juaj me Ezel edhe të shtunën. Kujdes! Seritë e të shtunës janë premierë absolute dhe nuk mund ti shikoni për herë të dytë. Ato nuk ritransmetohen. Sepse gjërat e bukura shijohen vetëm një herë!
Ky tekst, paksa i gjatë dhe me fjalën absolute të stërpërsitur nëpër të, – pa i hyrë diskutimit të budallallëkut të tipit gjërat e bukura që shijohen vetëm një herë!!! – vështirë ti ketë kaluar kujt pa e parë e dëgjuar. Transmetohet me qindra herë në ekranin e televizionit Klan, nga mëngjesi në mëngjes, dhe si një kumt paralajmëron që Ezeli i të shtunës nuk ritransmetohet. Të jetë vallë vërtetë humbje kaq e madhe, sikur të mos e ndiqnim Ezelin e së shtunës?! Vështirë…
Nëse telenovelat nuk janë të preferuarat tuaja, ndryshojmë kanal. Këtë javë në Vizion Plus në një nga edicionet informative, në rubrikën e kulturës, u transmetua një lajm me këtë titull: Telenovelat e Vizionit, më të vlerësuarat. Lajmi në vijim thoshte sesi në të njëjtën ditë me ceremoninë e ndarjes së çmimeve Oscar, në Akapulko të Meksikës ishte zhvilluar eventi i vlerësimit të produksioneve më të mira televizive meksinane, i cili ka nxjerrë si fitues këtë vit, telenovelat që vijnë si premiera absolute në Vizion Plus.
Përsëri premiera absolute! Për tu siguruar që lajmi ishte ndjekur nga të gjitha moshat, teksti i ngjashëm me atë të lajmeve, por më i zgjeruar dhe me gafa të panumërta në përkthim, u lexua edhe në rubrikën Gossip, në emisionin e përditshëm të mbasdites, Next. Në studion e tij, prezantuesit, të cilët as vetë nuk e dinë se çdo të thotë të jesh i tillë e aq më pak se çlidhje kanë me atë studio ku drejtuesit e televizionit i kanë vënë për të prezantuar lajme dhe këngë, paralajmëruan kronikën e thashethemeve, e cila u hap me lajmin e ceremonisë madhështore të Meksikës, të njëjtën ditë me të atë Oscar-it. Doni të dini më shumë? Në edicioni e 30-të të produksioneve më të mira meksikane, Forca e fatit ishte shpallur produksioni më i mirë për vitin 2011. Po kjo telenovelë u vlerësua për skenarin dhe përshtatjen më të mirë; Gruaja që nuk donte të dashuronte aktualisht në transmetim në Vizion i kishte dhënë trofeun e aktorit më të mirë, personazhit kryesor, të interpretuar nga njëri që quhej Horge Salinas; Livia Briti ishte shpallur aktorja më e mirë në kategorinë e të rinjve tek Triumfi i dashurisë, Delia Kazanova gjithashtu, për rolin e saj te Forca e fatit dhe shumë të tjerë protagonistë të këtyre dy produksioneve të suksesshme në ekranin e Vizion Plus përfundonte kronika. Me pak më shumë elegancë, por në të njëjtin kontekst, edhe Vizion Plus i qëndron të njëjtës linjë me atë të Klanit dhe Ezelit të famshëm. Telenovelat e tyre janë më të mirat, premiera absolute, pra o njerëz mos i humbisni.
Çfarë ju kujton kjo? Një modë të shpikur jo shumë vite më parë nga Top Channel, i cili ishte i pari që nisi lojën e publicitetit me fryrjet e tipit madhështor, i jashtëzakonshëm, absolut etj., etj. Nuk do shumë mundim të ktheheni pak vite pas në kohë për të kujtuar Palomën e pastaj Zhaden, telenovelën po aq të famshme latine, që, siç përkthehej në ekran, ktheu përmbys një Shqipëri të tërë. Kolona zanore e filmit dhe sidomos unazat alla Zhade, pushtuan tregjet. Vajza të vogla në moshë dhe të reja, stoliseshin si ajo. Gratë lotonin me muzikën e Zhades në sfond, për atë histori të paharrueshme dashurie. Pas një reklamimi, si ai që bëri Top-i, si mund të ndodhte ndryshe! Për diçka më të freskët kujtoni India Një histori dashurie. Top Channel e reklamoi për muaj e muaj të tërë përgjatë 2010-ës, e bëri pjesë të Portokalli-së dhe i injektoi aq shumë publicitet sa me hir a me pahir, të ngeshmit dhe të apasionuarit pas ekranit, e ndoqën deri në minutën e fundit.
Dhe ja ku jemi: Ekranet shqiptare po hahen kokë më kokë për… telenovelat. Dhe mund ta quanim deri diku normale, sikur lufta të fillonte dhe të mbaronte me kaq. Njerëzit duan telenovela dhe ekranet i ofrojnë më shumicë (vlen po aq, në mos më shumë në fakt, edhe e kundërta: ekranet shqiptare, të zhytur në varfërinë e produksioneve origjinale, transmetojnë aq shumë telenovela sa njerëzit nuk kanë nga tia mbajnë dhe i ndjekin). Por ajo që po merr përmasa të frikshme është lloji monstruoz i publicitetit që po këta ekrane u bëjnë këtyre lloj produksionesh a thua se suksesi i prodhimeve televizive fillon dhe mbaron me telenovelat. Dhe sidomos, sikur Ezeli, Forca e fatit, Gruaja që nuk donte të dashuronte dhe të tjerat që vijnë më pas të ishin prodhime të vetë ekraneve që i reklamojnë. Çfarë do të thoshte më shumë në spotin publicitar, të lexuar me emocion mbresëlënës nga drejtori i programacionit i Tv Klan, Arbert Dumani, për Ezelin, sikur ky të ishte produksion i Klanit? Me siguri asgjë. Ezeli i së shtunës nuk ritransmetohet!!! A do të krenohej më shumë se kaq Vizion Plus, nëse titujt e përmendur në edicionin e lajmeve të ishin produksione të tij? Përsëri jo!
Pa i hyrë fare në hak suksesit të telenovelave turke nëpër botë dhe Shqipëri përfshirë sipas lajmeve të publikuara, Turqia ka përfituar të ardhura me vlerë 60 milionë dollarë nga eksporti i telenovelave, të cilat ndiqen në mbi 20 vende të ndryshme. Çmimi i një episodi për telenovela të cilësuara të famshme varion nga 500 në 1500 dollarë, pat deklaruar Ferat Gjylgen, drejtues i Kalinos Holding, i cili realizon rreth 80 për qind të eksportit të telenovelave turke në vende të huaja. Revista Time e përkufizoi këtë eksport si sekretin e kryeministrit turk, Rexhep Taip Erdogan por a justifikohet ky lumë reklamash, tekset e të cilave shpesh i kalojnë kufijtë e arsyes? Dhe mbi të gjitha ato që vijnë pas tyre, për të përforcuar suksesin, siç është fjala vjen, titulli i llojit: Ezel mposht Big Brother? Për të bindur, në fillim veten, dhe pastaj shikuesit, pas transmetimit të të shtunës së parë të atij 120 minutëshit që nuk mund të ritransmetohej, të Ezelit, në Klan u dha edhe kronika tjetër mbi një sondazh të kryer në monitorim të vazhdueshëm që i bëhet programeve më të ndjekura në dy televizionet kombëtare në Shqipëri, sipas të cilit seriali i famshëm turk kishte një avantazh të fortë, krahasuar me reality show-n, Big Brother Albania. Edhe në qoftë kështu, tek e fundit Big Brother Albania, është një produksion i Top Channel, pra sado më të vogël ta ketë shikueshmërinë, e ka të merituar dhe mund ti gëzohet pa frikë. Edhe në Shqipëri, blerja e radhës e rëndësishme e Tv Klan, Ezel, ka kapur s