Ina Rama: Policia po fsheh korrupsionin shtetëror. Prokuroria: Në vend është ulur siguria publike
Kryeprokurorja dorëzon raportin në Kuvend duke theksuar se ulja e procedimeve penale për shpërdorim detyre dhe korrupsion nuk i korrespondon realitetit, por policia nuk po po referon më çështje të tilla. Po ashtu ndikim kanë pasur edhe vendimet e gjykatave për të mos ndëshkuar askënd
Prokuroria e Përgjithshme ka dorëzuar në Kuvend raportin e saj të përvitshëm. Gazeta Shqip publikon pjesë nga ky raport, ku theksohet shqetësimi për rritjen e kriminalitetit në Shqipëri. Sipas prokurorisë, në vend është ulur siguria publike.
Rritja e veprave penale kundër jetës lidhet me uljen e sigurisë publike në konsekuencë të ndikimit të faktorëve socialë dhe ekonomikë, të brendshëm dhe të jashtëm, thuhet në raportin e prokurorisë.
Një nga veprat penale që ka pësuar rritje drastike është vjedhja. Po ashtu për tu pasur në konsideratë është rritja e ndjeshme e procedimeve penale për mashtrim. Vlerësojmë se është një tendencë që lidhet me orientimin e një kategorie personash për tu pasuruar në mënyrë të shpejtë dhe të kundërligjshme. Ndoshta do ishte e nevojshme të bëhet një lloj sensibilizimi i opinionit publik për të mos rënë pre e këtyre formave, thekson raporti.
Ndërkohë, kryeprokurorja Ina Rama thekson se policia nuk po referon çështjet e korrupsionit shtetëror. Në lidhje me tendencën në ulje të procedimeve penale të regjistruara për veprën penale shpërdorim detyre, konstatojmë se nuk i përgjigjet realitetit. Ky tregues vjen si rrjedhojë e uljes së referimeve nga Policia e Shtetit, si dhe e uljes së kallëzimeve nga organet e kontrollit të brendshëm dhe të jashtëm financiar, thuhet në raport. Në lidhje me veprën penale të korrupsionit, sërish pohohet se ka një ulje drastike të referimeve kryesisht nga policia, por ndikim ka pasur edhe gjykata me vendimet që jep. Në lidhje me tendencën në ulje të procedimeve penale të regjistruara për këto vepra, konstatojmë se nuk i përgjigjet realitetit. Ky tregues vjen si rrjedhojë e uljes së referimeve kryesisht nga Policia e Shtetit si dhe mosndëshkueshmëria në mënyrën e duhur nga sistemi gjyqësor për raste të cilave iu është ngritur akuza dhe janë dërguar në gjykatë, thuhet në raport.