Madhi: Problemi me pronat nuk zgjidhet për 100 vjet
TIRANË- Kompensimi i ish-pronarëve nuk zgjidhet me një mandat të dytë apo të tretë qeverisës. Kryetari i Grupit Parlamentar i PR-së, Arjan Madhi, sheh një zgjidhje shumë të largët të çështjes së pronave. "Unë them që ky është një proces, i cili do të vazhdojë për dekada, për qindra vjet dhe është një proces i dështuar, në qoftë se ne mbetemi thjesht në këtë proces. Unë mendoj që kjo është një çështje, që nuk do ta zgjidhë një mandat apo dy mandate",- tha Madhi. Edhe pse PR-ja duhet të mbrojë më forcë ish-pronarët, pasi pronat janë edhe shtylla e programit të kësaj partie, Kryetari i deputetëve republikanë, ka justifikuar deri më tash djegien e fondit prej 5 mln dollarësh të parashikuar nga buxheti i vitit 2008 për kompensimin e ish-pronarëve. "Është një çështje rutine administrative, është një çështje që është penguar nga strukturat e qarqeve, por që lumturisht, kjo është një çështje në zgjidhje. Nuk mendoj se gjendet rruga e përshtatshme, por gjithmonë vetëm godet. Mund të godasësh, mund të heqësh çdo shpresë, por e kam të vështirë të besoj që do të kishte forcë politike tjetër të garantonte një proces brenda mundësive të kthimit dhe kompensimit të pronave",- vijoi Madhi.