Mafia e kromit, PS thërret në interpelancë Berishën
Grupi parlamentar i Partisë Socialiste ka dorëzuar sot në Kuvend kërkesën për interpelancë me kryeministrin Sali Berisha.
Kërkesa e deputetëve socialistë i është drejtuar kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli dhe bazohet në nenin 97 të Rregullores së Kuvendit, ku parashikohet interpelanca për çështje urgjente, raporton Ora News.
Kryeministri Berisha është thirrur në interpelancë nga deputetët e PS-së për të dhënë shpjegime për marrëveshjen koncensionare për shfrytëzimin e burimeve minerare në Bulqizë.
Thërritet për të dhënë shpjegime kryeministri Berisha lidhur me zbatimin e legjislacionit në fuqi dhe marrëveshjes koncensionare për shfrytëzimin e kromit në Bulqizë, mbi shfrytëzimin e burimeve minerare në tërësi, akuzat publike për shkelje të ligjit dhe kontrabandës së kromit, shfrytëzimit abuziv të pasurisë minerare dhe rrezikshmërisë së lartë që kjo situatë paraqet për jetën e minatorëve dhe të banorëve në zonat e implikuara si dhe për të ardhmen e vendit, thuhet në kërkesën e grupit të PS-së.