E Diel, 1 Nëntor 2026

Sa vjet ka në pushtet ky njeri? Berisha: Kam pritur çdo kryeministër italian, do pres edhe Montin për 100-vjetorin

Share

Kryeministri italian, Mario Monti, teknokrati fjalëpak, priti kryeministrin Sali Berisha në zyrën e tij. Më pas dolën në një konferencë për shtyp, ku siç pritej, Monti u shfaq me një letër në dorë. Lexoi statistika kryesisht duke theksuar se Shqipëria e ka Italinë partner të parë tregtar. Kryeministri italian tha se eksportet me Shqipërinë janë rritur. 1.145 milion euro eksporte italiane në vitin 2011, një rritje me 18 përqind në krahasim me vitin e mëparshëm. 650 milion importet nga Shqipëria, një rritje prej 14 përqind në krahasim me një vit më parë, tha Monti. Kryeministri italian vlerësoi shqiptarët në Itali si të mirëintegruar. Vlerësojmë shumë edhe vitalitetin e komunitetit shqiptar në Itali, që me numrin 500 mijë është i dyti më i madh dhe gjithmonë më i integruar, tha Monti.

Më pas i erdhi radha kryeministrit shqiptar, që natyrisht nuk flet me letër. Por kësaj radhe nuk foli as italishten e shëmtuar. Që në fillim ia rrëzoi një shifër teknokratit Monti.

Ndihma e Italisë ka pasur një rëndësi jetike. Kryeministri përmendi një shifër prej 260 milion euro. Në statistikat e dosjes sime gjejmë një faturë prej 600 milion euro, e shndërruar në qindra projekte, që kanë bërë që Shqipëria të jetë një vend ndryshe, tha Berisha.

Natyrisht nuk mund të mos kishte një ftesë për Montin për 100 vjetorin e Pavarësisë. Ne festojmë këtë vit 100 vjetorin e Pavarësisë dhe ishte kënaqësi që një mik të shquar që e kam takuar në vitin 1996 ta ftoj të vizitojë vendin tim, tha Berisha, që vlerësoi se shqiptarët që nga mesjeta shkojnë drejt Italisë. Nga mesjeta deri në ditët e sotme shqiptarët janë nisur drejt këtij vendi për një jetë më të mirë. Ata janë sot rreth 1 milion qytetarë të këtij vendi. Kanë luajtur rol të rëndësishëm në rilindjen e parë dhe të dytë kombëtare pas rënies së diktaturës. Kur hoqën vizat për shqiptarët, disa mendonin se do kishte valë eksodi drejt Italisë. Garanti kryesor ishte qeveria italiane që siguroi se nuk do ndodhte diçka e tillë. Sot Italia na mbështet në rrugën drejt integrimit evropian, tha Berisha.

Siç ndodh zakonisht kur takon një zyrtar italian, Berisha lëshoi frazën standarde: Diskutuam për projekte të mëdha energjetike.

Në fund Berisha i emocionuar zbuloi se kishte pritur çdo kryeministër italian, tani do priste edhe Montin.

Deri sot kam pritur të gjithë kryeministrat e këtij vendi mik, jam i bindur se do të pres edhe kryeministrin italian, Mario Monti, tha Berisha.

Pse si Italia jemi ne që ndryshojmë udhëheqjen?

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›