E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dhe tani lironi Delijorgjin

Drejtësia shqiptare u njollos tashmë në mënyrën më të keqe që mund të bëhet. Pushimi i hetimit, mungesa e të vërtetës për një histori tragjike si ajo e Gërdecit, duhet të rëndojë gjatë në ndërgjegjet e atyre që morën këtë vendim: në këtë rast Gjykata e Lartë. Por nga ana tjetër duhet një distancim i hapur publik i pjesës tjetër të Drejtësisë, të asaj që pretendohet të ketë mbetur e shëndoshë profesionalisht e më tej moralisht. Në të kundërt, është dëmtuar në mënyrë të pariparueshme besimi te Shteti i së Drejtës dhe rrugëtimi pa krye i shoqërisë sonë, mund të përjshpetohet pa parashikim. Me Mediun Ministër dhe deputet me imunitet dhe me epërsinë e treguar të politikës mbi Drejtësinë tani çdo gjë mund të humbë seriozitetin e të kthehet në situatë groteske. Për shembull, hetimi i biznesmenit Mihal Delijorgji, i cili ngriti biznesin e tij në Gërdec bazuar në koncensionet zemërgjëra që Qeveria Berisha, Ministria e Mbrojtjes atëherë në duar të Mediut, kthehet në një parodi. Në vend që të hetohen mbledhjet e Qeverisë, urdhërat e ministrit të bëra në data spektakolare për të mundësuar biznesin privat, tani do të hetohet Delijorgji dhe pritet të mësohet prej tij se ç’i bëri Mediut e Qeverisë që firmosin aq shpejt, mirë e ëmbël në favor të biznesit të ngritur jashtë normave teknike në qendrën e banuar. Kjo gjë as nuk ka për të ndodhur. Delijorgji është me siguri “më serioz” e “profesional” për të respektuar të vërtetën mbi shefat e tij dhe aq më tepër në favor të tij luan dhe një deklaratë për “mina me sahat”, bërë nga vetë Mediu. Në Shqipëri Drejtësia shfrytëzoi konsensusin popullor (zgjedhjen deputet të Mediut), për të mos e hetuar, duke thërrmuar pikërisht atë që tempulli i Drejtësisë botërore me mund shekullor ka ngritur në piedestal: ftohtësinë dhe paanshmërinë e ligjit. Shumë të burgosur të krimeve të ndryshme mund të kenë konsensus të gjërë popullor. Njihen dhjetëra raste në botë, ku dhe të burgosur për krime makabre marrin mijëra letra nga fansa dhe të kishin mundësi të gjithë të kandidonin mund të merrnin më shumë vota se shumë politikanë të vendit ku jetojnë duke përfituar imunitetin çudibërës. Edhe për Dritan Dajtin fansat e të keqes u mobilizuan në facebook e po të kishin mundësinë do ta votonin. E keqja vazhdon të jetë më joshëse se e mira, prandaj Drejtësia mbetet i vetmi fanar i zhveshur nga emocionet njerëzore dhe shpresë për ekuilibër. Në Shqipëri, ky fanar është thyer.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›