E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Mahila: Pajisje me letërnjoftim digjital për shtetasit shqiptarë, Xhaferraj: Nevojitet siguri ndaj hakerimit

TIRANË, 27 janar /ATSH/ Në Komisionin për Sigurinë Kombëtare, u prezantua projektligji për disa ndryshime “Për letërnjoftimin elektronik të shtetasve shqiptarë, i cili u mundëson qytetarëve shqiptarë që përveç kartës fizike të identitetit të pajisen edhe me letërnjoftim digjital.

Zëvendësministri i Brendshëm, Andi Mahila i pranishëm në komision, theksoi se, “kjo nismë është e bazuar dhe do të kontribuojë në arritjen e qëllimeve strategjike të qeverisë së Shqipërisë, përfshirë Strategjinë Ndërsektoriale Axhenda Digjitale e Shqipërisë dhe Planit të Veprimit 2022-2026.

“Propozimi për ndryshimin e këtij projektligji vjen në një linjë me listën unike të projekteve me rëndësi kombëtare, ku projekti i identitetit digjital për shtetasit shqiptar është pjesë e listës”, tha Mahila.

“Ndryshimi i ligjit do të krijojë një bazë të ligjshme për pajisjen e shtetasve shqiptarë me letërnjoftim digjital, duke e lejuar këtë proces të realizohet në përputhje me standardet e kërkuara nga BE dhe garantuar përputhshmërinë me standardet ndërkombëtare”, tha ai.

“Qëllimi i kësaj iniciative është për të kontribuar në modernizmin e administratës publike si dhe të lehtësojë aksesin e qytetarëve në shërbimet digjitale”, u shpreh Mahila.

“Kjo ndërhyrje do të kontribuojë në zhvillimin ekonomik, social dhe institucional të vendit, duke e përmirësuar cilësinë e jetës për qytetarët dhe duke rritur konkurrueshmërinë e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare”, tha Mahila.

Mahila shtoi se pajisja me letërnjoftim digjital  ka si qëllim përmirësimin dhe standardizimin e mënyrave të identifikimit të qytetarëve në ambientin digjital, duke përmbushur objektivat e qeverisë në drejtim të identitetit digjital, duke standardizuar identifikimin e qytetarëve në nivel evropian dhe implementuar një identitet digjital të përbashkët, i cili mund të lehtësojë komunikimin dhe bashkëpunimin me institucionet dhe bizneset evropiane, duke ndihmuar në luftën kundër krimit të organizuar dhe mashtrimeve në internet, duke rritur sigurinë dhe besueshmërinë e transaksioneve online”.

“Miratimi i këtij pr/ligji do të përmbushë objektivat në drejtim të identitetit digjital, duke standardizuar identifikimin e qytetarëve në nivel evropian, i cili mund të lehtësojë komunikimin dhe bashkëpunimin me institucionet dhe bizneset evropiane”, tha Mahila.

“Në mungesë të një kuadri ligjor, identifikimi digjital nuk mund të përdoret si mjet i njohur zyrtarisht për transaksione administrative, publike ose private”, tha Mahila.

Ai theksoi se, “kjo iniciativë përfaqëson një hap të madh përpara drejt një të ardhme më të sigurt, më efikase dhe më të digjitalizuar për të gjithë qytetarët shqiptarë, për të cilën do të punojmë së bashku për ta bërë këtë vizion një realitet të prekshëm për të gjithë”.

Ndërsa deputeti i Partisë Demokratike, Ferdinand Xhaferraj kërkoi në fjalën e tij në Komision siguri që pasaporta digjitale të mos jetë e hakerueshme.

“Në mënyrë të padiskutueshme pasaporta digjitale përbën risi. Madje mund të quhet risi edhe për vendet e BE, se jo të gjitha e kanë, vetëm 4-5 vende të BE dhe për Shqipërinë do të ishte shumë mirë”, tha Xhaferraj.

Ai u shpreh se dëshira për t’u hapur ndaj shërbimeve online solli rrezikun e hakerimit, duke kujtuar rastin e hakerave iranianë.

“Ne thërritëm të gjithë titullarët e institucioneve të sigurisë kibernetike dhe gjykimi i përgjithshëm kishte të bënte me faktin që dëshira për t’u hapur karshi këtyre shërbimeve na çoi që të ndërmerrnim hapa dhe investuam drejt shërbimeve, duke mos investuar sa duhet drejt mbrojtjes kibernetike dhe kjo na hapi probleme shumë të mëdha. Në këtë sens unë do isha shumë mbështetës për të shkuar drejt pasaportës digjitale, të domosdoshme”, tha ai.

Xhaferraj u shpreh se përpara se të miratohet ky pr/ligj të vijnë në Komision edhe drejtuesit e institucioneve të sigurisë kibernetike për të dhënë garanci që kjo pasaportë digjitale nuk mund të jetë e hakerueshme. /j.p/

Komisioni i Sigurisë Kombëtare, foto: Florian Abazaj 1 nga 3

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›