E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Tatimet: Rreth 143 mijë të punësuar, detyrim për plotësimin e DIVA-s

TIRANË, 27 janar/ATSH/ Rreth 143 mijë qytetarë shqiptarë të punësuar në një apo më shumë punëdhënës do të duhet të plotësojnë Deklaratën Individuale Vjetore të të Ardhurave, e njohur me emrin DIVA.

Përfaqësuesja e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, Alketa Çabej, në një intervistë në media, bëri të ditur se këtë detyrim e ka çdo individ që ka të ardhura në masën 1,2 milionë lekë në vit dhe nuk është i dypunësuar, sikurse edhe çdo person i dy apo më shumë punësuar, pavarësisht të ardhurave.

“Njësoj si biznesi që bën një bilanc, ashtu edhe individi do të duhet të bëjë një bilanc të të ardhurave të tij. Pavarësisht se individit i mbahet tatim në burim nga paguesi i të ardhurës, megjithatë ka detyrimin ta deklarojë”, theksoi ajo.

Sipas Çabejt, individi duhet të deklarojë edhe të ardhurat personale për të cilat nuk është mbajtur tatim në burim, si të ardhurat nga qiraja, pronësia intelektuale, interesat e investimeve në bono, apo ato nga depozitat në momentin që i tërheq.

“Do të duhet të deklarojnë të ardhurat që përfitojnë nga një depozitë bankare, interesat e tyre, apo nga investimi në bono thesari, duhet të deklarojnë edhe kontratat e shërbimit që kanë në fuqi edhe për shërbime i ofrojnë jashtë vendit. Subjekt i deklarimit janë të ardhurat që gjenerohen brenda dhe jashtë kufirit. Duhet të deklarojnë çdo të ardhur nga shitja e një pasurie apo nga dhënia me qira e një të tille, siç janë apartamentet në platformat online si “Booking” dhe “Airbnb”“, u shpreh ajo.

Çabej theksoi se individët do të duhet t’i deklarojnë te formulari që njihet me emrin DIVA, që gjendet në faqen e Tatimeve, pasi të jenë regjistruar.

Afati i fundit i deklarimit të DIVA-s është data 31 mars.

Një vit më parë këtë detyrim e kishin vetëm ata që kishin të ardhura vjetore 2 milionë lekë. Këtë vit kufiri është ulur në 1.2 milionë lekë bruto.

Në rast se individët nuk e plotësojnë deklaratën, sipas ligjit, penaliteti nis me 3 mijë lekë dhe më pas aplikohen kamatëvonesa.

143 mijë është numri i individëve që kanë të ardhura 1,2 milionë lekë vetëm nga paga. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve shpjegon se kjo shifër pritet të jetë edhe më e lartë, pasi shumë individë kanë të ardhura të tjera shtesë.

/j.p/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›