E Shtunë, 31 Tetor 2026

Majkëll Felps, legjenda olimpike me 11 medalje ari

Autori i Lajmit: red.

Majkëll Felps ka hyrë në historinë e Lojërave Olimpike, duke u bërë sportisti që ka fituar më shumë medalje të arta, pikërisht 11 të tilla. Notari amerikan theu rekordin në 200 metra, stil flutur, duke fituar medaljen e artë, si dhe ndihmoi skuadrën amerikane të merrte një tjetër medalje të artë në stafetën 4x200 metra, stil i lirë. Pas këtyre dy medaljeve Felps është kthyer në sportistin që ka fituar më shumë medalje të arta në të gjithë historinë e Lojërave Olimpike. Në 200 metra, stil i lirë për femra, triumfi ka qenë i gjithi për notaren italiane Federika Pelegrini, e cila ka thyer rekordin botëror duke regjistruar kohën 1 54"82 e fituar medaljen e artë. Medalja e argjendtë është fituar nga sllovenia Sara Isakoviç, ndërsa medalja e bronzit u fitua nga kinezja Jiajing Pang. Një tjetër rekord botëror është thyer edhe në 200 metra stil i përzier për femra. Notarja australiane Stefani Rice ka fituar medaljen e dytë të artë në Pekin 2008, duke lënë pas notaren nga Zimbabve Kristi Konventri dhe amerikanen Natali Kouglin. Kina ka marrë një tjetër medalje të artë në gjimnastikë artistike ekipore për femra. Gjimnastet kineze kanë mundur ato amerikane, të cilat ishin dhe kampionët në fuqi të botës. Ndërkohë, medalja e bronzit në gjimnastikë artistike për femra ka shkuar për ekipin rumun. Në çiklizëm për femra medalja e artë është fituar nga amerikania Kristin Armstrong, e cila ka lënë pas çiklisten britanike Ema Poley që mori medaljen e argjendtë dhe atë zvicerane, Karin Thurig, që mori medaljen e bronzit. Në volejbollin në plazh për femra, Gjeorgjia ka mundur Rusinë 2-1 në ndeshjet paraeliminatore. Dhe pas konfliktit mes dy vendeve, ndeshja është zhvilluar me një shpirt të vërtetë sportiv.

Ky lajm është publikuar: 14/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›