E Diel, 1 Nëntor 2026

Kërkesa të larta, apartamentet 15 % më shtrenjtë

Autori i Lajmit: red.
Çmimet e apartamenteve në kryeqytet janë rritur me 10 deri në 15 për qind. Kjo vetëm gjatë stinës së verës pas një frenimi në muajt e parë të vitit. Sipas agjencive imobilare, kjo po shkaktohet nga rritja e kërkesës për banesa, e cila këtë vit nuk po vjen më vetëm nga emigrantët, por edhe nga shtetas të huaj. “Çmimet janë rritur me 10 deri në 15 për qind. Ka fluks të emigrantëve, por dhe të individëve të huaj, të cilët kërkojnë të blejnë apartamente në Shqipëri”,- thonë punonjës të agjencive imobilare. Vitet e fundit, Shqipëria po shihet nga ekspertët e huaj si një nga vendet më të mira për të investuar pasuri të patundshme. Kjo ka bërë që, veç individëve, tashmë në vend të investojnë dhe shoqëri të huaja ndërtimi, të cilat synojnë kryesisht blerjen e trojeve. Ndonëse në rritje të vazhdueshme, çmimet e pasurive të patundshme në Shqipëri mbeten më të ulëta nga ato të fqinjëve tanë. Fuqia blerëse e qytetarëve ka pësuar një rënie në krahasim me vitet e fundit. Ekspertët e agjencive të pasurive të paluajtshme në Tiranë, janë shprehur se tregu i ndërtimit po përballet me një rritje të çmimeve me rreth 15 për qind, edhe për shkak të mosdhënies së lejeve të ndërtimit. Sipas të dhënave, zona e Liqenit është dhe zona më e shtrenjtë për blerjen e një shtëpie. Aktualisht, të blesh një shtëpi në këtë zonë kushton nga 1 500 euro për metër katror deri në 2 mijë euro për metër katror. Ndërkohë në Kinostudio dhe zonën e Dajtit çmimi i apartamenteve varion nga 700 euro në 1 mijë euro për metër katror. Ndërsa në zonën e Parkut të Autobusëve çmimi i apartamenteve për metër katror varion nga 700 euro në 900 euro. Zona e Yzberishtit është edhe zona ku një apartament kushton më lirë. Në këtë zonë çmimet variojnë nga 450 euro për metër katror në 600 euro për metër katror. Parashikimet, sipas agjencive tregojnë se, nëse vazhdohet me këto ritme, çmimet do të rriten akoma më shumë, duke qëndruar në të njëjtat tendenca rritjeje, me rreth 20-25 për qind në vit. Të dhënat përforcohen edhe nga një raport i Bankës së Shqipërisë për 2007, që vlerëson se rritja e çmimeve të banesave ka ardhur si pasojë e presioneve që janë krijuar në treg për shkak të zvogëlimit të kapaciteteve të lira.
Ky lajm është publikuar: 15/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›