E Shtunë, 31 Tetor 2026

Majkëll Phelps peshkaqen, SHBA dominon notin

Majkëll Felps bën sërish gjigandin në pishinë. Amerikani merr medaljen e 17-të të artë në historinë e Lojërave olimpike, të tretën në tri Olimpiada radhazi në stilin 100 metra flutur dhe të 21-tën në total në Lojërat Olimpike, duke fituar me rikuperim garën e preferuar të tij, pikërisht ndaj Chad Le Clos, që e kishte mundur në mënyrë të ngjashme në 200 metra flutur. Medaljen e bronztë e fitoi rusi Korotishkin. Në 200 metra shpinë për femra, Misi Franklin ul në gjunjë rekordin botëror, duke e thyer atë me pothuajse 80 të qindtat, teksa ndal kronometrin në 2 minuta, 4 sekonda e 6 të qindtat, duke lënë pas rusen Zueva, që fiton argjendin dhe Elizabeth Beisel që mori medaljen e bronztë. Në 50 metra stil i lirë për meshkuj, është francezi Manadou, vëllai i notares së famshme, Loren, ai që merr medaljen e artë duke mundur amerikanin Kulen Xhons dhe brazilianin Sesar Çielo, që kënaqet me bronz. Në 800 metra stil i lirë për femra triumfoi 15-vjeçarja amerikane, Ledeky, që ishte si një tren në pishinë duke fituar me shkëputje ndaj spanjolles Belmonte dhe britanikes Arlington, që e mbyll olimpiadën e saj me vetëm dy medalje bronzi. 15-vjeçarja amerikane për pak sa nuk vendosi rekord botëror, të cilin e humbi për vetëm pak të qindtat, duke vendosur kohën e 8 minuta, 14 sekonda e 63 të qindtat.

Zhgënjen Hoxha, renditet i 37-ti
Nuk është aspak i kënaqshëm rezultati i arritur nga atleti shqiptar, Adriatik Hoxha, në garën e hedhjes së gjyles në Lojërat Olimpike të Londrës. Paraditen e djeshme, sportisti, i cili synonte edhe përmirësimin e rekordit kombëtar, e hodhi gjylen 17.58 metra, duke u renditur në vendin e 37-të mes 40 garuesve. Nga këta, tre atletë janë skualifikuar për shkak të gabimeve teknike. Për pasojë, Hoxha doli i fundit nga ata atletë që arritën ta kryenin konkurrimin siç duhet.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›