E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tirana shiti ndeshjen në baste

Alesund - Tirana 5-0

Skandali/ Sipas kompanisë “Norsk Tiping” janë vendosur shumë parà gjatë ndeshjes për rezultatin 5-0.

Federata norvegjeze: I drejtohemi UEFA-s për hetim të mëtejshëm.

Tirana përfshihet në baste. Lajmi vjen nga një organ serioz, sikundër është Federata Norvegjeze e Futbollit, e cila ka konfirmuar se do të kër-kojë hetim nga ana e UEFA-s për ndeshjen Alesund-Tirana 5-0. Bardheblutë, pasi barazuan 1-1 ndeshjen e parë në Tiranë për turin e dytë të Ligës së Evropës, humbën turpërisht ndaj Alesundit në takimin e kthimit, me një rezultat që në vetvete është edhe një rekord negativiteti. Asnjëherë më parë Tirana nuk kishte pësuar një humbje të tillë në gjithë historinë e saj të Kupave të Europës. Pikërisht kjo gjë ka shtuar edhe më shumë dyshimet për impenjimin e lojtarëve bardheblu. Kështu, kompania kombëtare e lotarive, “Norsk Tiping”, ka sinjalizuar Federatën Norvegjeze të Futbollit për vënie bastesh të dyshimta për ndeshjen Alesund-Tirana (rezultat në kokë), si para dhe gjatë takimit, sidomos në Azi, ku takimi është luajtur në sallat e basteve live. Zëdhënësi i kësaj kompanie, Einar Busterud, ka bërë të ditur për “AFP”-në se me kalimin e minutave u rritën shumë bastet që kjo ndeshje do të mbyllej me rezultatin 5-0, madje në shuma të mëdha, aq sa disa kompani e hoqën fare nga kuotimi. “Para ndeshjes u tentua të viheshin shifra të mëdha parash për fitoren e vendësve, kryesisht me diferencë golash. Fakti që ishin shifra të mëdha, na bëri të dyshonim dhe e hoqëm nga lista si ndeshje. Por pamë se kur ndeshja ishte live po viheshin baste të mëdha gjatë gjithë kohës. Gjithsesi, kam mësuar se në disa kompani ndërkombëtare, kryesisht aziatike, i kanë pranuar bastet. Ajo që i shton dyshimet, ka të bëjë me faktin se bastet kryesisht viheshin për fitore me rezultat të saktë 5-0. Madje, edhe kur ndeshja ishte 2-0, vazhdohej që të viheshin baste për këtë rezultat dhe në fakt ndeshja përfundoi kështu”, ka treguar dje për mediat norvegjeze, Einar Busterud. Ndërkohë, e njoftuar menjëherë nga “Norsk Tiping”, Federata ka nisur hetimin dhe ka dalë në një konkluzion se skuadra e tyre, Alesundi, nuk është e përfshirë në këtë mesele. “Alesundi pati vështirësi që të gjente rrugën e rrjetës në fillim, por më pas shënoi 5 gola. Në pamje të parë duket se nuk ka asgjë për t’u shqetësuar dhe se Alesundi e ka fituar me meritë ndeshjen, por fakt është se ka shumë dyshime mbi këtë sfidë, të cilat e theksoj se mund të jenë edhe thjesht rastësi. U njoftuam se ishin vënë shifra të mëdha parash për këtë sfidë, të cilat parashikonin rezultatin e saktë, njësoj siç përfundoi edhe ndeshja. Kjo të bën të dyshosh, por momentalisht jemi ende në nivelin e spekulimit, pasi nuk ka prova të mjaftueshme. Gjithsesi, ne i kemi kërkuar UEFA-s që të hetojë mbi këtë ndeshje”, tha dje për mediat sekretari i Përgjithshëm i Federatës Norvegjeze, Kjetil Siem.

Alesund-Tirana 5-0
Shënues:
Barrantes 45+1′, Tollas 48′, Xhejms 64′, 77′, Stjuart 84′
Kartonë të verdhë: Ferraj, Pashaj, G.Lika
Gjyqtarë: Arnold Hunter/ R.Storej dhe Xh.Eakin (Ir.Veriut)
Alesund: Grytebust, Tollas, Çarlsen, Post (Xhejms 46′), Stjuart, Arnefjord, Vembangomo, Matland (Skagestad 67′), Ulvestad, Fuhre (Myklebust 68′), Barrantes. Trajner: K.Rekdal
Tirana: I.Lika, Sina (Morina 53′), Dushku, Pisha, Ahmataj, Taku, Pashaj, Karabeci (Muçollari 68′), G.Lika, Ferraj (Peposhi 58′), Çota. Trajner: H.Rubio

Administratori hedh poshtë akuzat e norvegjezëve
Tagani: Na pritën keq, ndaj humbëm atë ndeshje

Salih Tagani

Administratori i Tiranës, Salih Tagani, ka mohuar trukimin e ndeshjes me Alesundin. Madje ai e ka cilësuar Federatën Norvegjeze të Futbollit si jo serioze. “Në lidhje me këtë çështje kam folur edhe për mediat norvegjeze dhe më vjen keq që i kanë cunguar fjalët e mia. Mirëpo, dua të them hapur se ne e përjashtojmë veten totalisht nga kjo ndodhi. Janë thjesht aludime tendencioze të norvegjezëve, ose më saktë të Federatës së këtij vendi. Gjithçka e nisëm kur pretenduan për të marrë në tavolinë ndeshjen e parë të luajtur në kryeqytet. Mirëpo vetë UEFA ua dha përgjigjen me anë të relacionit, ku mohoi kategorikisht të ketë pasur racizëm në Shqipëri. Por nëse këtu nuk pati, atje po, ku e shfaqën hapur racizmin ndaj nesh. Treguesi më i qartë ishte pritja në hotel, ku edhe pse kishim paguar, nuk na shërbyen. Kërkonim bukë dhe nuk na jepnin, bari ishte i boshatisur. Madje edhe kur donim faturën, me zor na e dhanë. Unë gjithçka e konsideroj të qëllimshme dhe kjo ndikoi psikologjikisht te ne. Për të mos prekur edhe terrenin sintetik, me të cilin skuadra jonë nuk është mësuar të luajë. Me gjithë respektin që kisha kur u nisa drejt Norvegjisë, tashmë mendoj se ai vend nuk është aspak europian në mentalitet”, shpjegoi Tagani.

LEONARD KARAJ

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›