BE: Dialog konstruktiv për qeverinë e re
Presidenca suedeze e Bashkimit Evropian i bën thirrje partive politike në Shqipëri që të zhvillojnë një dialog konstruktiv për të formuar qeverinë e re. Në ditën e parë të marrjes së presidencë së radhës, deklarata e parë për shtyp e Suedisë ishte pikërisht për zgjedhjet e 28 qershorit në Shqipëri. “Presidenca e BE mësoi për rezultatet përfundimtare të Misionit Ndërkombëtar të Vëzhgimit të Zgjedhjeve, që konfirmojnë përmirësimet në procesin elektoral në Shqipëri, por gjithashtu vënë në pah dhe një numër problemesh gjatë përgatitjes dhe rrugës drejt zgjedhjeve. Kompletimi pa probleme i fazave të mbetura të procesit elektoral ka një rëndësi të lartë”, thuhet në deklaratën për shtyp. Bashkimi Evropian përshëndeti dje popullin shqiptar për pjesëmarrjen e lartë në votime dhe atmosferën paqësore. Presidenca suedeze ka mbështetur gjetjet e raportit paraprak të vëzhguesve ndërkombëtarë dhe ka kërkuar që partitë të bashkëpunojnë për të krijuar sa më shpejt një qeveri të angazhuar për afrimin e vendit me BE. “Presidenca e Bashkimit Evropian mirëpret zhvillimin e qetë dhe paqësor të zgjedhjeve parlamentare të së dielës në Republikën e Shqipërisë. Ne përgëzojmë qytetarët e Shqipërisë për këtë arritje. Votuesit kanë treguar një vullnet të fortë përkundrejt vlerave demokratike e sidomos për procesin zgjedhor, dhe e kanë manifestuar këtë përmes një pjesëmarrjeje të lartë”, thuhet më tej në deklaratë. Ndërkohë, një tjetër vlerësim ka mbërritur edhe nga zëdhënësit e shefit për politikën e jashtme të Bashkimit Evropian, Havier Solana, Cristina Nagy. “Ne përgëzojmë popullin shqiptar për angazhimin e tyre kolektiv për një të ardhme të ndërtuar mbi bazën e zgjedhjeve të lira, të ndershme dhe transparente. Duke pritur rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të djeshme, ne inkurajojmë të gjitha partitë të riafirmojnë angazhimin e tyre për reformat e nevojshme, përfshirë edhe aftësinë e mjaftueshme administrative për të garantuar implementimin e atyre reformave”, - shprehet Nagy.