Majko: Më kanë propozuar për Nr.2 në OKB për Europën dhe Kaukazin
“Kandidimi i emrit tim është thjesht në stadin e kandidaturave jo të pakta, që arrijnë pranë Sekretarit të Përgjithshëm të OKB. Vazhdoj të jem deputet i PS dhe të jap kontributin tim gjithashtu brenda Kryesisë së Partisë Socialiste”
Grupi parlamentar i Partisë Socialiste mund të ketë shumë shpejt dy deputetë të rinj. Kjo pasi përveç Rudina Seserit që ka dorëzuar mandatin, pjesë e këtij grupi me shumë gjasa nuk do të jetë më as një prej figurave kyçe të PS-së, Pandeli Majko, i cili pritet të zgjidhet ndihmës i Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Europën, vendet e ish-Bashkimit Sovjetik dhe Kaukazit. Lajmin e ka bërë të ditur dje vetë Majko gjatë mbledhjes së Kryesisë, ku i është dashur të arsyetojë mungesën e tij në seancën e fundit plenare. Megjithatë, deri në atë moment vetë Pandeli Majko në një reagim për mediat ka bërë të ditur se do të vijojë të jetë deputet i Partisë Socialiste.
Propozimi
Shqipëria, për herë të parë në historinë e saj mund të ketë një përfaqësues të sajin në pozicionet më të rëndësishme drejtuese të Kombeve të Bashkuara. Kjo pasi ish-kryeministri Pandeli Majko është propozuar si kandidat për postin e asistentit të vetë kreut të OKB-së, Ban Ki Moon. Dy ditë më parë, ai për këtë qëllim është ftuar në ambasadën gjermane në Tiranë, ku dhe ka dhënë një intervistë në lidhje me mundësitë që kishte për të mbajtur këtë detyrë në OKB. Ka qenë pikërisht ky takim që është bërë shkak edhe për largimin e Majkos nga seanca e fundit plenare dhe evidentimi i tij si një ndër tri mungesat e grupit parlamentar socialist në votimin e Bujar Leskajt. Por para se të lërë Shqipërinë dhe të largohet për në New York, kandidatura e Majkos duhet të mundë kandidaturat e tjera për këtë post dhe të marrë pëlqimin e vetë Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Moon. Në rast se kjo do të bëhet realitet, atëherë Majko do duhet të lërë mandatin e deputetit në Kuvendin e Shqipërisë dhe të heqë dorë nga angazhimet politike, pasi do të ketë një detyrë me kohë të plotë në OKB.
Deklarata
Ndërkohë që në mbrëmjen e djeshme Majko në një njoftim për mediat ka sqaruar pozicionin e tij ndaj këtij propozimi, të cilin e ka konsideruar si vlerësim për kontributet që ai vetë ka dhënë në momente të vështira për shqiptarët dhe për rajonin, siç ishte dhe lufta e Kosovës. “Sot Kombet e Bashkuara po marrin një rol akoma dhe më primar në menaxhimin e krizave, paqes, zhvillimit njerëzor si dhe luftës kundër varfërisë në botë. Shqipëria është një vend i vogël, por që 10 vjetët e fundit ka ditur të japë kontributin e saj në paqen jo vetëm në rang rajonal, në menaxhimin e krizës se Kosovës dhe Maqedonisë, por edhe atë global me pjesëmarrjen e saj në paqeruajtësit e Kombeve të Bashkuara apo me punësimin e disa dhjetëra shqiptarëve, të cilët japin kontributin e tyre në gjirin e Kombeve të Bashkuara nëpër misionet e zhvillimit në botë. Unë jam vënë në dijeni që emri im si shqiptar, është duke u konsideruar për një kandidaturë të mundshme pranë Kombeve të Bashkuara, në pozicionin e ndihmëssekretarit të Përgjithshëm të Europës dhe vendeve të ish-Bashkimit Sovjetik dhe Kaukazit”, - shprehet Majko në këtë njoftim. Më tej ai sqaron se e ka mirëpritur këtë propozim dhe se pret tashmë vendimin e Ban Ki Moon. “Për një politikan karriere si unë, pavarësisht moshës së re, është gjithmonë i mirëpritur rasti për të dhënë kontributin individual përtej kufijve kombëtarë. Marrja në konsideratë për të qenë pjesë e mundshme e një qeverisjeje globale do të ishte një nder për cilindo politikan karriere. E theksoj dhe njëherë se kandidimi i emrit tim është thjesht në stadin e kandidaturave jo të pakta që arrijnë pranë Sekretarit të Përgjithshëm të OKB, dhe që në fund është Shkëlqesia e tij, Z. Ban Ki-Moon ai, i cili do të përzgjedhë kandidaturën më të përshtatshme”, - shprehet Majko, ndërsa thekson se “unë vazhdoj të jem deputet i Partisë Socialiste dhe të jap kontributin tim gjithashtu brenda Kryesisë së Partisë Socialiste”.